Po përgatitet për duelin me Kristian Prengën, Joshua: Po qëndroj i fortë, si një ushtar!

Boksieri britanik, Anthony Joshua, është gati të rikthehet në ring pas një periudhe shumë të vështirë personale, duke deklaruar se po qëndron i fortë “si një ushtar” pas aksidentit tragjik ku humbën jetën dy miqtë e tij të ngushtë.

Ish-kampioni i botës në peshat e rënda do të përballet më 25 korrik, në Riyadh me boksierin shqiptar, Kristian Prenga, në një duel shumë të rëndësishëm për të ardhmen e karrierës së tij.

Aksidenti ndodhi në muajin dhjetor në Nigeria, ku Joshua ndodhej në të njëjtin automjet me miqtë e tij Sina Ghami dhe Latif Latz Ayodele, të cilët humbën jetën. Vetë boksieri pësoi lëndime të lehta, por ngjarja la pasoja të mëdha emocionale.

Në një intervistë për podcastin “5 Live Boxing”, Joshua foli me emocion për tragjedinë dhe mënyrën se si po përpiqet ta përballojë atë.

“Nuk e kalon kurrë plotësisht një gjë të tillë, por fiton një perspektivë tjetër për jetën. Jeta ndonjëherë të përul. Nuk e di kurrë fatin e askujt. Si një ushtar, po qëndroj i fortë para së gjithash për prindërit e tyre”, deklaroi Joshua.

36-vjeçari shtoi se në këtë moment prioriteti i tij janë familjet e miqve që humbën jetën, ndërsa dhimbjen personale po përpiqet ta mbajë për vete.

Sfida ndaj Prengës konsiderohet vendimtare për planet e Joshua-s, pasi një fitore do t’i hapte rrugën superduelit të shumëpritur ndaj Tyson Fury-t më vonë gjatë këtij viti. Dy britanikët kanë dominuar kategorinë e peshave të rënda për më shumë se një dekadë, por ende nuk janë përballur ndonjëherë në ring.

Sipas raportimeve, ekziston tashmë një marrëveshje paraprake për meçin e madh, që mund të zhvillohet në tetor ose nëntor dhe pritet të sjellë fitime rekord për të dy boksierët.

Promotori i Joshua-s, Eddie Hearn, zbuloi se para aksidentit planet për vitin 2026 ishin shumë ambicioze. Fillimisht ishte planifikuar një duel me Rico Verhoeven, përpara sfidës së madhe me Fury-n. Por vetëm dhjetë ditë pas fitores ndaj Jake Paul, ndodhi tragjedia që ndryshoi gjithçka.

Në konferencën për shtyp në Londër, ku u përball për herë të parë me Kristian Prengën, Joshua u shfaq i përqendruar dhe optimist.

“Ende e kam atë zjarr brenda meje dhe e di që ky është vendi ku bëj pjesë. Nuk e bëj këtë për shaka. E bëj sepse kjo është ajo që di të bëj më mirë. Do ta dëshmoj këtë vit dhe do të vazhdoj ta dëshmoj edhe në të ardhmen”, përfundoi ai.