NBA në zi, ndërron jetë legjenda Rick Adelman, fitoi mbi 1000 ndeshje në karrierë
Bota e basketbollit amerikan ka humbur një nga figurat më të rëndësishme të saj. Ish-trajneri legjendar i NBA-së, Rick Adelman, ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga ‘National Basketball Coaches Association’, ndërsa shkaqet e vdekjes nuk janë bërë publike. Adelman konsiderohej një nga trajnerët më të suksesshëm dhe më të respektuar në historinë e NBA-së, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në basketbollin amerikan.
Para se të bëhej trajner, ai pati edhe një karrierë si basketbollist në NBA. Adelman debutoi në vitin 1968 me San Diego Rockets dhe luajti shtatë sezone në ligën më të fortë të basketbollit në botë, me mesatare 7.7 pikë dhe 3.5 asistime për ndeshje.
Karrierën si trajner e nisi në vitin 1983 si ndihmës te Portland Trail Blazers, klub ku më pas mori drejtimin e ekipit si trajner kryesor. Nën drejtimin e tij, Portlandi arriti dy herë në finalet e NBA-së, fillimisht në sezonin 1989/90 kundër Detroit Pistons dhe më pas në 1991/92 përballë Chicago Bulls të legjendarit Michael Jordan.
Pas eksperiencës te Golden State Warriors, periudha më e suksesshme e Adelman erdhi te Sacramento Kings. Ai drejtoi skuadrën për tetë sezone radhazi, duke e kualifikuar çdo vit në “play-off” dhe duke e kthyer ekipin në një prej forcave më të forta të Konferencës së Perëndimit.
Në një reagim zyrtar, Kingsat shprehën dhimbjen për humbjen e ish-trajnerit të tyre, duke theksuar se Adelman do të kujtohet për përulësinë, integritetin dhe besimin e tij te puna në skuadër.
Karriera e tij vazhdoi më pas te Houston Rockets dhe Minnesota Timberwolves, përpara se të tërhiqej përfundimisht në sezonin 2013/14.
Në total, Rick Adelman regjistroi 1.042 fitore në NBA, duke u renditur i 10-ti në listën e trajnerëve me më shumë triumfe në historinë e ligës. Ai ishte një nga 11 trajnerët që kanë kaluar shifrën e 1.000 fitoreve.
Për kontributin e tij të madh në basketboll, Adelman u përfshi në ‘Naismith Memorial Basketball Hall of Fame’ në vitin 2021, ndërsa në 2023 mori edhe çmimin prestigjioz “Chuck Daly Lifetime Achievement”.