Ish-mesfushori i Barcelonës zbulon prapaskenën: Messi i bënte kafe Ronaldinho-s
Një histori interesante nga dhomat e zhveshjes së Barcelona është zbuluar së fundmi nga ish-mesfushori Andrea Orlandi, i cili ka treguar marrëdhënien e veçantë mes Lionel Messit dhe Ronaldinho-s në vitet e para të argjentinasit te skuadra katalanase.
Orlandi, që ishte pjesë e Barcelonës nga viti 2005 deri në 2007, kujtoi atmosferën në ekip dhe mënyrën se si Ronaldinho e mbante Messin “me këmbë në tokë”, në kohën kur ky i fundit sapo kishte nisur të shpërthente në futbollin e madh.
Duke folur në podcastin HProject, ish-lojtari tregoi se braziliani shpesh i kërkonte Messit t’i përgatiste kafe, por gjithçka bëhej në formë shakaje dhe me shumë dashamirësi.
“Ronaldinho i thoshte Messit: ‘Sa Kupa Bote ke luajtur ti, djalosh?’. Pastaj Messi i përgatiste kafenë. Ishte një mënyrë për ta mbajtur pranë dhe për t’i treguar përkujdesje. Sikur donte t’i thoshte: ‘Ende nuk je Ronaldinho’”, rrëfeu Orlandi.
Sipas tij, marrëdhënia mes dy yjeve ishte shumë më tepër sesa një raport shokësh skuadre. Ronaldinho kishte rolin e mentorit, ndërsa Messi atë të talentit të ri që po mësonte nga një prej futbollistëve më të mirë të botës në atë kohë.
Kimia mes tyre u pa edhe në fushë. Pikërisht Ronaldinho dhuroi asistin për golin e parë të Messit me ekipin e parë të Barcelonës, në ndeshjen ndaj Albacete-s më 1 maj 2005.
Braziliani ishte lideri i Barcelonës që fitoi dy tituj të LaLigës dhe UEFA Champions League në vitin 2006, ndërsa gjithmonë ka deklaruar se e kishte kuptuar herët se Messi do të bëhej futbollisti më i mirë në botë.
Edhe Messi nuk e ka fshehur kurrë ndikimin që Ronaldinho pati në fillimet e tij te Barcelona, duke pranuar se braziliani e ndihmoi shumë të përshtatej me ambientin e ekipit të parë.
Simboli më i madh i respektit mes tyre erdhi në verën e vitit 2008, kur Ronaldinho u largua nga ‘Camp Nou’ për t’iu bashkuar Milanit. Para largimit, ai i kërkoi Messit të trashëgonte fanellën legjendare me numrin 10, duke ia kaluar “stafetën” lojtarit që më pas do të fitonte tetë “Topa të Artë” dhe do ta udhëhiqte Barcelonën drejt shumë trofeve të tjerë europianë.