Rregull i ri në Botërorin 2026, FIFA ndalon ‘timeout’-in taktik të portierëve

FIFA dhe IFAB kanë vendosur të vendosin një rregull të ri gjatë Kupës së Botës 2026, me synimin për të shmangur një praktikë që është përdorur shpesh në futbollin modern: ndërprerjet taktike të maskuara si dëmtime të portierëve. Kjo metodë është parë në shumë ndeshje të rëndësishme, ku portieri kërkon ndihmë mjekësore, ndërsa trajneri përfiton për të dhënë udhëzime të reja për skuadrën.

Rasti që nxiti më shumë debat ndodhi në muajin nëntor, kur trajneri i Leeds, Daniel Farke, akuzoi portierin e Manchester City-t, Gianluigi Donnarumma, se kishte simuluar një dëmtim për të ndërprerë ritmin e lojës dhe për t’i dhënë mundësi trajnerit Pep Guardiola të komunikonte me lojtarët pranë zonës teknike.

Për të shmangur situata të tilla, IFAB ka vendosur që gjatë Botërorit të ardhshëm lojtarët të mos lejohen të afrohen te pankina ose trajneri kur portieri është duke marrë trajtim mjekësor në fushë.

Kreu i arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, shpjegoi se portieri ka të drejtë të marrë ndihmë pa dalë nga fusha, por kjo nuk duhet të përdoret si mundësi për “pushime taktike”. Sipas tij, ishte bërë e pazakontë të shihej në fushë vetëm arbitri, fizioterapisti dhe portieri, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve mblidheshin te trajneri.

Në vitet e fundit, ky “truk” është përdorur shpesh për të ndryshuar skemën taktike, dhënë instruksione të reja apo edhe për të prishur ritmin e kundërshtarit në momentet më të rëndësishme të ndeshjes.

Me rregullin e ri, gjatë një dëmtimi të portierit, futbollistët e të dyja skuadrave do të duhet të qëndrojnë në pozicionet e tyre ose të grumbullohen vetëm në rrethin qendror të fushës. Gjithsesi, FIFA ka bërë të ditur se nuk do të aplikohen kartonë të verdhë apo ndëshkime disiplinore ndaj lojtarëve që tentojnë t’i afrohen trajnerit gjatë këtyre situatave.