15 gola dhe merkatoja ndizet! Dy klube italiane vihen pas Stiven Shpendit
Sezoni fantastik i Stiven Shpendit me Empolin nuk ka kaluar pa u vënë re.
Sulmuesi shqiptar ka hyrë në radarët e disa klubeve italiane, teksa merkatoja e verës pritet të sjellë zhvillime interesante për të ardhmen e tij.
21-vjeçari ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të Empolit gjatë sezonit të fundit, duke realizuar 15 gola dhe duke u renditur i treti në listën e golashënuesve të kampionatit. Kontributi i tij rezultoi vendimtar në arritjen e objektivit madhor të skuadrës, mbijetesën në elitën e futbollit italian.
Shpendi shkëlqeu veçanërisht në javën e fundit të kampionatit, kur realizoi një dygolësh ndaj Monzës, duke udhëhequr Empolin drejt një fitoreje me peshë.
Paraqitjet e tij kanë tërhequr interesin e klubeve të tjera në Itali.
Sipas mediave pranë klubit toskan, Frosinone dhe Palermo kanë nisur të mbledhin informacione për sulmuesin shqiptar dhe po ndjekin nga afër situatën e tij.
Aktualisht nuk ka negociata konkrete mes palëve, por interesimi konsiderohet serioz dhe mund të intensifikohet në javët e ardhshme.
Nga ana tjetër, presidenti i Empolit, Fabrizio Corsi, është i vendosur ta mbajë talentin shqiptar edhe për një sezon tjetër. Megjithatë, nëse në tavolinën e klubit mbërrin një ofertë e rëndësishme financiare, largimi i Shpendit gjatë kësaj vere mund të bëhet një mundësi reale.
Me formën që ka treguar dhe potencialin që vazhdon të shfaqë, emri i Stiven Shpendit pritet të jetë një nga më të përfolurit në merkaton italiane gjatë muajve të ardhshëm.