Nga Milani në Arabi, por pa sukses/ Konseisao shkarkohet edhe nga klubi i ri
Aventura e Serxhio Konseisaos në Arabinë Saudite ka marrë fund shumë më shpejt nga sa ishte parashikuar.
Klubi i Al-Itihad ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e menjëhershme të bashkëpunimit me trajnerin portugez, vetëm pak muaj pasi ai mori drejtimin e skuadrës.
Konseisao u emërua në krye të ekipit në tetor të vitit 2025, duke firmosur një kontratë afatgjatë deri në verën e vitit 2028. Megjithatë, rezultatet zhgënjyese dhe dështimi për të përmbushur objektivat e klubit bënë që drejtuesit të merrnin vendimin drastik për largimin e tij.
Skuadra saudite kishte pretendime të mëdha për të luftuar për trofe në të gjitha kompeticionet, por paraqitjet e dobëta gjatë sezonit bënë që ekipi të mbetej larg pritshmërive.
Në njoftimin zyrtar, Al-Itihad konfirmoi se vendimi erdhi pas një vlerësimi të plotë të performancës së skuadrës dhe planeve për të ardhmen.
“Klubi njofton ndërprerjen e menjëhershme të kontratës me trajnerin e ekipit të parë, z. Serxhio Konseisao. Ky vendim vjen pas një analize të plotë të performancës së ekipit dhe objektivave të ardhshëm të klubit”, thuhej në deklaratën e klubit.
Në skuadrën e Al-Itihad aktivizohet edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj.
Shkarkimi i Konseisaos vjen pas një periudhe jo të suksesshme edhe te Milani, duke shtuar dyshimet mbi momentin e vështirë që po kalon trajneri portugez në karrierën e tij.