SYRI TV/ Protestë kundër terapive hormonale te transgjinorët, qytetarët: Familja shqiptare është në rrezik
Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës organizoi një protestë kundër trajtimit hormonal në QSUT, i cili është premtuar nga qeveria për transgjinorët. Protestuesit dhe organizatorët bënë thirrje ndaj qeverisë që të heqë dorë nga një vendim i tillë, ndërsa kërkuan dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, si dhe të zv.ministres Eugena Tomini. Në fund, protestuesit nënshkruan edhe një peticion për anulimin e urdhrit të qeverisë për trajtimin hormonal të transgjinorëve.
‘Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës’ zhvilloi një protestë kundër vendimit të qeverisë për terapitë hormonale të transgjinorëve. Sipas tyre, ky vendim bie ndesh me parimet dhe traditën shqiptare dhe, mbi të gjitha, dëmton institucionin e familjes. Protestuesit dhe organizatorët e këtij tubimi u shprehën se familja shqiptare përballet me sfida serioze dhe kërkon më shumë mbështetje nga shteti. Ata u bënë thirrje gjithë qytetarëve dhe, veçanërisht, prindërve që të bashkohen në mbrojtje të familjes dhe fëmijëve, duke e cilësuar familjen si themelin e kombit dhe të shoqërisë shqiptare.
Protesta, e zhvilluar në sheshin ‘Skënderbej’, vjen si përgjigje kundër terapive hormonale për ndryshimin e gjinisë, të cilat, sipas organizatorëve, përbëjnë pjesë të një agjende që dëmton familjen. Një vendim i tillë, i marrë pak ditë më parë nga qeveria, ka ngjallur debate dhe diskutime të shumta.