Botërori i shtrenjtë, tifozët skocezë marrin me qira autobusa shkolle për të kursyer
Kupa e Botës 2026 po sjell jo vetëm emocion në fushë, por edhe sfida të mëdha financiare për tifozët.
Përballë kostove të larta të transportit, mbështetësit e Skocisë kanë gjetur një zgjidhje të pazakontë: marrjen me qira të më shumë se 30 autobusëve të verdhë shkollorë amerikanë.
Anëtarët e njohur të “Tartan Army” morën këtë vendim pasi çmimi i një bilete vajtje-ardhje me tren drejt stadiumit “Gillette” në Foksborou arriti në 80 dollarë për person.
Në këtë stadium, Skocia do të zhvillojë ndeshjet ndaj Haitit dhe Marokut.
Për të ulur shpenzimet, shumë tifozë kanë zgjedhur të akomodohen në Providence të Rhode Island, ku çmimet e hoteleve janë dukshëm më të ulëta sesa në Boston.
Megjithëse parkimi i një autobusi në stadium kushton 650 dollarë, tifozët besojnë se duke ndarë shpenzimet mes tyre, transporti do t’u kushtojë vetëm rreth 30 dollarë për person. Kjo është dukshëm më pak krahasuar me alternativat zyrtare të ofruara gjatë turneut.
Edhe tifozët e Anglisë kanë nisur të organizojnë autobusë privatë për udhëtimet drejt ndeshjeve në Boston, Nju Jork dhe Dallas, duke ulur ndjeshëm kostot e transportit.
Reagimet ndaj çmimeve të larta kanë qenë të shumta. Shoqata e Tifozëve të Futbollit e ka cilësuar situatën si “skandaloze”, ndërsa shumë mbështetës po kërkojnë mënyra alternative për të kursyer, përfshirë fluturime me ndalesa në Islandë dhe qytete të tjera.
Ndërsa Botërori 2026 pritet të thyejë rekorde për numrin e tifozëve, për shumë prej tyre sfida më e madhe nuk do të jetë mbështetja e ekipit në stadium, por përballimi i kostove gjithnjë e më të larta të udhëtimit.