MotoGP/ Dominim i Becekit në Muxhelo, Aprilia shkruan histori dhe thellon diferencën në kampionat

Marko Beceki u rikthye te fitorja në mënyrën më të mirë të mundshme, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Italisë në Muxhelo dhe duke forcuar pozitën e tij në krye të renditjes së MotoGP.

Për pilotin italian kjo ishte fitorja e katërt e sezonit dhe e dhjeta në karrierë në kategorinë mbretërore.

Suksesi i Becekit u shoqërua edhe me një rezultat historik për Aprilian, e cila festoi një dopietë falë vendit të dytë të Horge Martinit.

Spanjolli vazhdon të mbetet rivali kryesor i liderit të kampionatit, por diferenca mes tyre tani është zgjeruar në 17 pikë.

Françesco Banjaja e mbylli garën në vendin e tretë. Piloti i Dukatit udhëhoqi për një pjesë të mirë të garës, por më pas nuk mundi t’i rezistonte ritmit të dy pilotëve të Aprilias.

Në fund ai mbrojti me sukses podiumin nga presioni i fortë i Ai Ogurës, që përfundoi i katërti.

Top-5 u kompletua nga Fabio Di Xhianantonio me Ducati VR46, ndërsa Pedro Akosta zuri vendin e gjashtë.

Rikthim pozitiv regjistroi edhe Mark Markezi, i cili pas dëmtimit në Lë Mansh e mbylli garën në vendin e shtatë.

Një nga protagonistët e fundjavës, Raul Fernandez, humbi shanset për fitore që në start pas një gabimi në frenimin e parë.

Megjithatë, ai realizoi një rikuperim mbresëlënës për ta mbyllur garën në vendin e tetë.

Pas garës së Muxhelos, Beceki kryeson kampionatin me 173 pikë, i ndjekur nga Horge Martin me 156.

Fabio Di Xhianantonio renditet i treti me 134 pikë, ndërsa Pedro Akosta ngjitet në vendin e katërt me 103 pikë.

Ndalesa e radhës e kampionatit do të jetë këtë fundjavë në Hungari.