Koalicioni Pro Familjes/ Pano: Do luftojmë për fëmijët dhe të drejtat e prindërve

Linda Pano, aktiviste në protestën e zhvilluar sot për Koalicionin Pro-Familjes, kundër injektimit të hormoneve tek fëmijët, bëri thirrje për mbrojtjen e familjes dhe të drejtave të prindërve.

Ajo theksoi se nuk ka kauzë më të rëndësishme sesa fëmijët dhe familja, duke kundërshtuar thirrjet për anulimin e marshimit dhe duke ftuar qytetarët të qëndrojnë dhe të luftojnë për të drejtat e tyre.

 Në fjalimin e saj, Pano solli edhe rrëfimin e një nëne që kishte përjetuar situata të rënda në lidhje me trajtimin e vajzës së saj 13-vjeçare, për të nxjerrë në pah përgjegjësinë ekskluzive të prindërve për vendimet mbi fëmijët.

Pjesë nga deklarata:

Jam e lumtur që ndodhemi bashkë sot këtu, për familjen, për fëmijët, për lirinë, për të drejtën dhe të vërtetën. Shumë njerëz na thanë që: “Anullojeni marshimin për jetën, sepse ka kauza të tjera më të rëndësishme.” Po a ka një kauzë më të rëndësishme sesa fëmija? A ka një kauzë më të rëndësishme sesa familja? Sot jam e lumtur që shqiptarët nuk kanë vdekur, por janë gjallë! Nuk kanë vdekur, por janë në këmbë! Dhe janë gati të qëndrojnë, të jetojnë dhe të vdesin për fëmijët e tyre. A ka shqiptarë këtu që mund të thonë: “Ne do të qëndrojmë! Për fëmijët e mi! Për lirinë time! Për familjen time!”

A e dini, në udhëtimet tona në vende të ndryshme dhe në konferenca, në njërën prej tyre kam parë një nënë që qante dhe i rridhnin lotët si shi, ndërsa tregonte se si shteti i kishte marrë vajzën 13-vjeçare. Dhe tregonte që ishte shtrirë në korridoret e spitalit për 12 orë, ndërsa kasapët i kishin prerë vajzës së saj pjesë nga trupi… pjesë të shëndetshme nga trupi, për ta kthyer nga vajzë në djalë. Dhe pas asaj konference unë kam thënë: do të kthehem në Shqipëri dhe do të sigurohem që asnjë nënë të mos qajë fëmijën e saj në mënyrën që unë pashë që ajo nënë qante. Dhe kjo është arsyeja që ne jemi këtu. Mos i lejoni ata që kanë axhenda të caktuara, që nuk janë të mira për asnjë njeri, që të vijnë e të vendosin për fëmijët.

A e dini, është përgjegjësia e prindit, detyra e prindit dhe e drejta më e lartë e prindit që të vendosë për fëmijën e vet. Çdo njeri tjetër që kërkon të ndërhyjë nuk ka të drejtë. Prandaj unë sot dua t’ju inkurajoj: qëndroni dhe luftoni! Sepse në qoftë se nuk luftoni ju për fëmijët tuaj, bota do të jetë e pamëshirshme për ta. Prandaj ne jemi sot këtu për të qëndruar dhe luftuar. Zoti i bekoftë fëmijët shqiptarë! Zoti e bekoftë familjen shqiptare!

Përpara se unë ta mbyll, do të doja të ftoja një avokate që e kam takuar ditën e premte, ndërsa isha në shtëpinë e vajzës duke ngrënë drekë…