SYRI TV/ Banorët e Hoxharës ngrihen në protestë: Po na grabisin tokat për panele fotovoltaike

Po na grabisin pronat për të ndërtuar panele fotovoltaike. Banorët e Hoxharës në Fier kanë protestuar duke kundërshtuar ndërtimin e paneleve diellore, duke thënë se po u dëmtohet prona e tyre. Ata shtojnë se po u bëhet presion, ndërsa ish-zyrtarë të njësive administrative apo persona që kanë punuar në kadastër po përdoren si sekserë për të bindur banorët të shesin ose të lirojnë tokat e tyre. Më herët kjo çështje është denoncuar edhe nga emisioni “Plug” në Syri TV.

Banorët e Hoxharës në Fier kanë protestuar këtë të hënë kundër zaptimit të tokave bujqësore nga kompani që synojnë ndërtimin e parqeve me panele fotovoltaike. Ata shprehen se prej muajsh përfaqësues të kompanive të ndryshme kanë hyrë në tokat e zonës dhe kanë dëmtuar kufijtë ndarës të pronave.

Ata pretendojnë se kompani të ndryshme, përmes ndërmjetësve dhe sekserëve, po ushtrojnë presion mbi pronarët, duke i mashtruar se do t’u zgjidhin problemet e dokumentacionit të pronësisë. Banorët hedhin akuza se ish-punonjës të komunave dhe kadastrës janë të përfshirë në abuzimet me pronat.

Emisioni “Plug” ka denoncuar vazhdimisht marrjen e tokave të banorëve nëpërmjet dokumenteve false ose pa marrë më parë miratimin e këshillit bashkiak.