Hyri maji deri në shtator pa ujë! 110 familjeve në Fier u thahen çezmat

Fshati Varibop ne Fier përballet çdo verë me mungesë të ujit të pijshëm. Rreth 110 familje detyrohen të mbushin uje me bidona në burime, ndërsa puset e fshatit furnizojnë bashkitë përreth. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente, duke denoncuar amortizimin e rrjetit dhe mungesën e investimeve.

Video Syri TV

Në prag të sezonit turistik, fshati Varibop në Fier përballet sërish me mungesën e ujit të pijshëm. Rreth 110 familje të lagjeve Dautaj dhe Alibej çdo vit gjatë muajve të verës vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Nën temperatura të larta, banorët detyrohen të mbushin ujë me bidone në burimet e fshatit pak metra larg banesave e tyre.

Kjo problematikë përsëritet çdo vit, ndërsa puset e fshatit furnizojnë bashkinë Fier dhe Patos, por lënë pa ujë vetë banorët e zonës.

Ata thonë se çdo verë thahen për ujë, duke e kaluar të nxehtin me vështirësi. Shkak për këtë situatë, sipas tyre, është amortizimi i rrjetit të ujësjellësit dhe ndërhyrjet e paligjshme. Banorët thonë se janë taksapagues të rregullt dhe u bëjnë thirrje institucioneve që të marrin masa për të zgjidhur problemin.

Përveç mungesës së ujit, banorët ankohen edhe për mungesën e investimeve në infrastrukturë.