Sassuolo blen përfundimisht kartonin e ‘gardianit’ të Kosovës
Sassuolo ka vendosur të ushtrojë të drejtën e blerjes për Arijanet Muric-in, duke e transferuar përfundimisht portierin kosovar nga Ipswich Town për shumën e 7 milionë eurove.
‘Gardiani’ 27-vjeçar kishte mbërritur në Reggio Emilia verën e kaluar në formë huazimi dhe zhvilloi një sezon të plotë në Serinë A me fanellën e Sassuolos. Muric regjistroi 32 paraqitje, pësoi 43 gola dhe arriti të mbante të paprekur portën në gjashtë ndeshje.
Megjithatë, e ardhmja e portierit të Kosovës duket larg Emilias. Vetë Murici kishte deklaruar më herët se aventura e tij te Sassuolo konsiderohej e mbyllur për arsye personale, duke lënë të kuptohet se do të kërkojë një destinacion të ri gjatë merkatos së verës.
Tashmë mbetet të shihet se cili do të jetë hapi i ardhshëm në karrierën e portierit kosovar, ndërsa klubet e interesuara për të nuk mungojnë.
Vendimi i Sassuolos për ta blerë përfundimisht lojtarin mund të lidhet edhe me synimin për të mos e humbur atë pa përfitim financiar, në rast të një transferimi tjetër gjatë verës.