Projekti i ri i Vllaznisë, drejtuesit vendosin për Edi Martinin

Vllaznia ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin Edi Martini, duke i besuar atij drejtimin e skuadrës edhe për dy sezonet e ardhshme. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga klubi shkodran përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Ky vendim vjen si sinjal i nisjes së një projekti të ri sportiv, pas një periudhe ku rezultatet nuk kanë qenë në nivelin e pritshmërive. Ndryshe nga kontrata e kaluar njëvjeçare, këtë herë palët kanë firmosur një marrëveshje më afatgjatë, që tregon besim më të madh te puna e trajnerit.

Rinovimi dyvjeçar shihet si një hap i rëndësishëm për stabilitetin e skuadrës, sidomos në një moment kur pritet edhe ndryshim i thellë në përbërjen e ekipit, me disa largime të mundshme gjatë merkatos.

Klubi theksoi në komunikatën e tij se marrëveshja është arritur me konsensus të plotë me trajnerin.

“KF Vllaznia dëshiron të njoftojë se ka arritur akordin me trajnerin Edi Martini për të qenë pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët edhe për dy sezonet e ardhshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.