Zyrtare/ Ancelotti emërohet trajner i Lille, firmos kontratë dyvjeçare

Klubi francez Lille ka zyrtarizuar emërimin e Davide Ancelottit si trajner të ri të ekipit të parë. Lajmi është bërë i ditur përmes kanaleve zyrtare të klubit, ku konfirmohet se tekniku italian ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare.

36-vjeçari merr drejtimin e skuadrës franceze pas largimit të Bruno Genesio-s, kontrata e të cilit përfundoi në fund të muajit maj. Për Ancelottin, ky është një hap i rëndësishëm në karrierën e tij si trajner kryesor, pas eksperiencës së mëparshme te Botafogo dhe roleve të ndryshme si ndihmës trajner në klube të mëdha europiane.

Ai ka punuar më herët te Real Madridi, Bayerni, Napoli, Everton dhe Paris Saint-Germain, ndërsa ka qenë gjithashtu pjesë e stafit të kombëtares së Brazilit. Në Paris, ai ka fituar edhe njohuri të rëndësishme për kampionatin francez, ku ka shërbyer si përgatitës atletik në sezonet e hershme të karrierës së tij.

Te Botafogo, Ancelotti regjistroi 55 ndeshje me një mesatare prej 1.67 pikësh për ndeshje, duke lënë një përshtypje pozitive në eksperiencën e tij të parë si trajner kryesor.

Lille, që sezonin e ardhshëm do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve, i beson një projekti të ri me teknikun italian, i cili tashmë përballet me një sfidë të madhe në futbollin europian.