Julian Shehu: Të krijojmë një identitet të ri për ndeshjet e Nations League

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Julian Shehu, ka folur në konferencën për shtyp në prag të miqësoreve të qershorit, duke theksuar rëndësinë e dy testeve përpara ndeshjeve zyrtare në Ligën e Kombeve. Ai u ndal te ndryshimet me trajnerin e ri, mundësitë për lojtarët në skema të ndryshme dhe nevoja për të ndërtuar një identitet të qartë për skuadrën kuqezi.

Maran preferon lojën në sulm, a do të jetë një mundësi dhe për ju që të tregoni dhe aftësitë përpara portës?

Mendoj që çdo trajner ka ato idetë dhe mendimet e veta për sa u përkey lojtarëve dhe pozicionimit në fushë. Nuk e di në qoftë se do jem më përpara apo do vazhdoj të jem në të njëjtin pozicion. E rëndësishme është që për sa kohë të jem në fushë të bëj maksimumin për kombëtaren dhe të jap më të mirën time për ekipin. Trajneri ka idetë e veta për lojën, kështu që, në qoftë se do jem përpara, do bëj maksimumin, në qoftë se do jem mbrapa do bëj prapë maksimumin.

Mendon se në Kombëtare duhet të ndryshojnë disa gjëra?

Çdo trajner kur vjen në ekip kombëtar ka idetë e veta, siç e thashë më përpara, dhe do që ta krijojë ekipin me bazë të ideve që ka, kështu që normalisht që mund të ketë ndryshime. Çdo gjë është normale për sa u përket ndryshimeve përderisa trajneri është i ri.

Sa të rëndësishme janë këto dy miqësore, duke qenë se në shtator kemi sfidat zyrtare në Ligën e Kombeve?

Po, besoj që janë shumë të rëndësishme për ne për sa i përket vazhdimësisë që do kemi dhe ndeshjeve që janë për Nations League në shtator, kështu që këto janë dy teste të rëndësishme për ne. Duhet të bëjmë maksimumin dhe të krijojmë atë identitetin tonë me trajnerin e ri.

Nga zhgënjimi që ishte në play-off, në miqësore, me prurje të reja...

Besoj që këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për të krijuar identitet për ndeshjet në vazhdim që kemi, dhe sigurisht që çdo lojtar i ri që vjen në ekip kombëtar e meriton që të jetë në ekip kombëtar përderisa është këtu dhe çdo pozicion dhe çdo vend në ekip kombëtar është i hapur, kështu që do luajë ai që e meriton të luajë.