Protesta dhe dhuna në Zvërnec/ Rama ja kalon përgjegjësinë Lamallarit: Policia të arrestonte rojet e dhunshme

Kryeministri Edi Rama ka folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, lidhur me incidentin në Zvërnec mesditën e të shtunës. Rama e konsideroi të neveritshme aktin e tërheqjes zvarrë të protestuesit, nga policia private. 

Ndërkohë që lejen për investimin ”Strategjik” e ka dhënë vete pa asnjë lloj konsultimi me banorët e zonës dhe me përfaqësuesit e shoqatave të ambientalistëve që kanë shpjeguar se sa kërcenues është për ambientin një projekt i tillë.

“Lidhur me situatën e krijuar për investimin e zonës. Dua ta nis me një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që janë revoltuar dhe janë rreshtuar edhe kundër meje pas aktit të neveritshëm të tërheqjes zvarrë të protestuesit. Ju kam dëgjuar ju kam lexuar dhe ju kuptoj shumë mirë, ju siguroj se në vendin tuaj edhe unë po njësoj do revoltohesha dhe do rreshtohesha kundër qeverisë dhe kryeministrit. Do më dukej e tmerrshme që disa roje private të ulërinin si kafshë dhe të merrnin një njeri në të drejtën e vet, ta tërhiqnin zvarrë e pastaj policia të thoshte se u fut vetë në pronën private ndërkohë që duhet të kishte arrestuar në vend ata që morën zvarrë protestuesin,” tha Rama.

Kështu ai shpalli fajtorin e radhës, pasi vetë nuk ka faj asnjëherë. Ndërkohë që zërat e shumta nga shoqëria civile, media dhe politika shpjegojnë se pas një investimi të tillë ka gisht vetë Edi Rama.