VIDEO/ Kaos në paradën e Arsenalit, një milion tifozë pushtojnë rrugët e Londrës: arrestime dhe të plagosur
Festimet për titullin kampion të Arsenalit në Premier League janë shoqëruar me kaos dhe incidente të shumta në Londër. Mbi 750 mijë deri në një milion tifozë dolën në rrugët e kryeqytetit anglez për të festuar trofeun e parë kampion pas 22 vitesh, por atmosfera festive në shumë momente doli jashtë kontrollit.
Sipas shërbimeve të emergjencës, rreth 75 persona u shpëtuan nga lartësi të ndryshme pasi kishin hipur në çati, semaforë, stacione autobusësh dhe struktura metalike për të parë paradën e skuadrës. Autoritetet u detyruan vazhdimisht të ndërhynin për të shmangur incidente më të rënda.
Policia metropolitane konfirmoi arrestimin e 16 personave për vepra të ndryshme, mes tyre sjellje të dhunshme, dehje, posedim droge dhe sulm ndaj punonjësve të emergjencës. Një person u arrestua edhe nën dyshimin për sulm seksual.
Situata u rëndua edhe më shumë pas një incidenti me thikë në Hornsey Road, ku një person përfundoi në spital. Policia ngriti menjëherë skenën e krimit dhe nisi hetimet.
Në rrjetet sociale qarkulluan pamje të tifozëve që rrëzoheshin nga pemët apo përlesheshin mes tyre, ndërsa shumë të tjerë ndezën flakadanë të kuq përgjatë rrugëve të Londrës veriore.
Sipas zjarrfikësve londinezë, një flakadan shkaktoi edhe zjarr në një hotel, megjithëse dëmet ishin të vogla. Gjithashtu, mjetet piroteknike aktivizuan alarmet e zjarrit në disa zona të qytetit.
Parada nisi pranë “Emirates Stadium” dhe përshkoi rreth 9 kilometra nëpër rrugët e Islingtonit. Për shkak të mbipopullimit, stacioni “Finsbury Park” u mbyll përkohësisht.
Pavarësisht humbjes në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj PSG-së vetëm një ditë më parë, tifozët e Arsenalit festuan me entuziazëm titullin kampion. Mesfushori Declan Rice gjatë paradës u premtoi tifozëve se skuadra “do të rikthehet sërish më e fortë”.
“E dua këtë skuadër dhe këtë trajner”, deklaroi anglezi mes ovacioneve të tifozëve.