Balaj fiton ‘Këpucën e Artë’, por goli në ‘Final Four’ nuk e shmang dështimin e Vllaznisë

Bekim Balaj e mbylli sezonin me një vlerësim individual të rëndësishëm, edhe pse nuk arriti të shmangte zhgënjimin e Vllaznisë në “Final Four”. Kapiteni shkodran u shpall golashënuesi më i mirë i Superiores për edicionin 2025/26, falë golit të realizuar ndaj AF Elbasanit.

Sulmuesi i kuqebluve gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 48-të të sfidës në “Air Albania”, duke kaluar Vllazninë në avantazh përkohësisht. Ai përfitoi nga një kundërsulm perfekt i shkodranëve dhe nuk gaboi përballë portierit kundërshtar.

Ky gol rezultoi vendimtar për Balajn në garën personale për “Këpucën e Artë”. Me realizimin ndaj Elbasanit, kapiteni shkodran shkoi në kuotën e 14 golave sezonale, duke lënë pas Irgin Kasallën e Vorës, i cili e kishte mbyllur kampionatin me 13 realizime.

Megjithatë, goli dhe trofeu individual nuk mjaftuan për të shpëtuar Vllazninë nga një “Final Four” zhgënjyes. Shkodranët u përmbysën 2-1 nga Elbasani dhe e mbyllën fazën finale me tri humbje në tri ndeshje, duke dështuar plotësisht në garën për titullin kampion.

 

Përveç çmimit të golashënuesit më të mirë, Balaj mori edhe çekun prej 2 milionë lekësh të vjetër të akorduar nga FSHF-ja për fituesin e “Këpucës së Artë”.