Festa e dhunshme e tifozëve të PSG-së, reagon presidenti Macron: Natë e papranueshme!
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka dënuar ashpër incidentet dhe aktet e dhunës që shpërthyen në Paris dhe qytete të tjera të Francës pas triumfit të Paris Saint-Germain në finalen e Champions League kundër Arsenalit, në Budapest.
Teksa priti skuadrën kampione në Pallatin Elysee së bashku me trofeun e Champions League, Macron i cilësoi ngjarjet e mbrëmjes së kaluar si “të papranueshme” dhe larg vlerave të sportit.
“Nuk duam të shohim më gjëra të tilla. Ky nuk është futboll, nuk është sport dhe nuk është ajo që ne duam”, deklaroi presidenti francez.
Macron falënderoi policinë dhe forcat e xhandarmërisë për ndërhyrjen gjatë trazirave, duke theksuar se autoritetet do të tregohen të pamëshirshme ndaj personave të arrestuar.
“Falënderoj policët dhe xhandarët tanë. Do të jemi të palëkundur me ata që janë ndaluar. Nuk duam të shohim më këto skena. Mjaft më”, shtoi kreu i shtetit francez.
Presidenti foli për “skena dhune të papranueshme”, ndërsa falënderoi gjithashtu ministrin e Brendshëm, prefektin dhe të gjitha forcat e angazhuara për përballimin e situatës, të cilën e përshkroi si diçka “të pajustifikueshme”.
Festimet për suksesin historik të PSG-së në Champions League u shoqëruan me tensione dhe përplasje në disa zona të Parisit dhe qyteteve të tjera franceze, duke errësuar pjesërisht atmosferën e triumfit europian të klubit parizien.