Ku mund të transferohet Leao? Shifra që dëshiron të arkëtojë Milani

E ardhmja e Rafael Leaos duket gjithnjë e më larg Milanit. Deklaratat e fundit të sulmuesit portugez kanë lënë të kuptohet se ndarja me kuqezinjtë është shumë pranë, ndërsa drejtuesit e klubit italian tashmë kanë përcaktuar edhe shifrën që synojnë të përfitojnë nga shitja e tij.

Edhe pse Leao ka një klauzolë largimi prej 175 milionë eurosh, e vlefshme në fillim të muajit korrik, Milani e di se është e vështirë që ndonjë klub të paguajë një shumë të tillë. Për këtë arsye, kuqezinjtë shpresojnë të arkëtojnë mes 50 dhe 70 milionë eurove për kartonin e lojtarit, i cili ka kontratë deri në vitin 2028.

Një rol të rëndësishëm në përcaktimin e vlerës përfundimtare të transferimit do të ketë edhe Botërori i Klubeve, që nis më 11 qershor. Vetë Leao ka vendosur që çdo vendim zyrtar për të ardhmen ta shtyjë deri pas përfundimit të turneut.

Klubet angleze mbeten favoritet kryesore për të siguruar shërbimet e portugezit. Në “pole position” ndodhet Manchester United, tashmë i drejtuar nga Michael Carrick, falë rikthimit në Ligën e Kampioneve.

Pas “Djajve të Kuq” vijnë Arsenali dhe Chelsea, me londinezët që kanë raporte shumë të mira me Milanin pas marrëveshjeve të fundit mes dy klubeve, përfshirë edhe operacionin ‘Nkunku’.

Në sfond mbeten Tottenhami i Roberto De Zerbit, Liverpooli dhe Newcastle United, të cilët monitorojnë situatën e sulmuesit, por pa bërë ende hapa konkretë.

Ndërkohë, Barcelona, Paris Saint-Germain dhe Bayern konsiderohen pista të mbyllura. Barcelona sapo ka transferuar Anthony Gordon, ndërsa PSG-ja dhe Bayerni nuk duket se e kanë Leaon prioritet në merkato.

Në rast se portugezi vendos të largohet nga pesë kampionatet më të forta europiane, atëherë mund të hapet një derbi turk mes Galatasaray-t dhe Fenerbahçe-s. Një tjetër mundësi mbetet Arabia Saudite, ku Al Hilal i Simone Inzaghi-t dhe ish-shokut të tij të skuadrës, Theo Hernandez, është gati t’i ofrojë një kontratë marramendëse yllit kuqezi. Në horizont mbetet edhe MLS-ja amerikane, e cila prej kohësh po tërheq emra të mëdhenj të futbollit europian.