Arteta shpërthen pas finales: Arsenali meritonte një penallti ndaj PSG-së
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes dramatike ndaj Paris Saint-Germain në finalen e UEFA Champions League, duke ngritur edhe polemika për arbitrimin.
Skuadra londineze u mposht pas penalltive në Budapest, ndërsa Arteta deklaroi për “TNT Sports” se disfata ishte shumë e vështirë për t’u pranuar.
“Është vërtet e dhimbshme ta pranosh një humbje të tillë, sidomos pasi treguam vazhdimësi gjatë gjithë kompeticionit dhe arritëm deri në finale. Të humbësh trofeun me penallti është shumë e hidhur”, u shpreh tekniku spanjoll.
Megjithatë, polemika më e madhe lidhet me një episod në kohën shtesë, kur Noni Madueke u rrëzua në zonë pas kontaktit me Nuno Mendes. Sipas Artetës, Arsenali duhej të kishte fituar një penallti.
“E kam parë përsëri aksionin dhe penalltia mund të jepej fare lehtë. Sidomos nëse shohim penalltitë që janë akorduar këtë sezon në këtë kompeticion”, deklaroi ai.
Arteta kritikoi edhe kriterin e arbitrit gjerman Daniel Siebert, duke theksuar se vendimet nuk ishin të njëjta në situata të ngjashme gjatë ndeshjes.
“Këtë herë arbitri mori një vendim, ndërsa në rastin e Cristhian Mosquera-s mori një tjetër. Ky është një detaj shumë i rëndësishëm”, përfundoi trajneri i Arsenalit, duke lënë të kuptohet se zhgënjimi për finalen dhe episodet e diskutueshme vazhdon të jetë i madh në kampin londinez.