‘Leksioni’ i dhënë nga Marquinhos, ngushëllon Gabriel Magalhaes, më pas feston me shokët

Kapiteni i Paris Saint-Germain, Marquinhos, ishte një nga figurat më të spikatura të finales së UEFA Champions League, jo vetëm për triumfin e skuadrës së tij, por edhe për gjestin e madh sportiv që tregoi menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.

Pas penalltisë vendimtare të humbur nga Gabriel Magalhães, që i dha PSG-së trofeun e dytë radhazi në Champions League ndaj Arsenalit, Marquinhos nuk vrapoi menjëherë drejt festës me shokët e ekipit.

Mbrojtësi brazilian shkoi fillimisht te bashkëkombësi i tij, Gabriel, për ta ngushëlluar, duke e përqafuar në një moment shumë emocional. Një gjest që tregoi respekt, miqësi dhe humanizëm, përtej rivalitetit të madh në fushë.

Vetëm më pas kapiteni i PSG-së iu bashkua festës së madhe me Khvicha Kvaratskhelia-n dhe pjesën tjetër të skuadrës, mes kërcimeve, brohoritjeve dhe emocioneve për triumfin historik në Budapest.

Ironikisht, të dy lojtarët brazilianë do të ribashkohen shumë shpejt në grumbullimin e kombëtares së Brazilit nën drejtimin e Carlo Ancelotti-t, për të përgatitur aventurën në Botëror.

Me këtë sukses në UEFA Champions League Final, PSG vendosi për herë të dytë emrin në historinë e madhe të futbollit europian, pas triumfit të vitit të kaluar ndaj Interit dhe suksesit dramatik të këtij sezoni kundër Arsenalit.