Luis Enrique hyn në historinë e PSG-së, bëhet trajneri më i suksesshëm i klubit

Luis Enrique vazhdon të shkruajë historinë me Paris Saint-Germain. Pas triumfit dramatik ndaj Arsenalit në finalen e UEFA Champions League, tekniku spanjoll është bërë trajneri më i titulluar në historinë e klubit francez.

PSG arriti të përmbyste disavantazhin 0-1 dhe më pas triumfoi pas penalltive, duke fituar Champions League për të dytin sezon radhazi dhe duke konfirmuar dominimin në futbollin evropian.

Ky sukses i jep Luis Enrique trofeun e 12-të në stolin parizien, një rekord absolut për klubin. Në koleksionin e tij me PSG-në bëjnë pjesë tre tituj kampionë në Francë, tri Superkupa të Francës, dy Kupa të Francës, dy Champions League, dy Superkupa Europe dhe një Kupë Interkontinentale.

Trajneri spanjoll fitoi edhe duelin taktik ndaj bashkëkombësit Mikel Arteta. PSG dominoi në aspektin statistikor me 75% posedim topi.

Luis Enrique, i cili në fillimet e karrierës së tij si trajner ishte shpesh objekt kritikash, tashmë konsiderohet arkitekti i epokës më të suksesshme në historinë e PSG-së, duke udhëhequr një brez të artë lojtarësh si Khvicha Kvaratskhelia, Nuno Mendes dhe Dembélé drejt lavdisë evropiane.