‘Final 4’ drejt epilogut, të dielën kurorëzohet kampionia e sezonit 2025/26
Sezoni 2025/26 në futbollin shqiptar mbërrin në momentin më të rëndësishëm, pasi të dielën në mbrëmje do të zhvillohen dy sfidat vendimtare të “Final 4”, nga ku do të dalë edhe skuadra kampione. Egnatia, AF Elbasani dhe Vllaznia janë ende në garë për trofeun, duke premtuar një mbyllje sezoni plot tension dhe emocione.
Të dyja ndeshjet do të luhen paralelisht në ora 19:00. Në ‘Air Albania’, Vllaznia do të përballet me AF Elbasanin në një duel direkt mes dy pretendentëve për titullin, ndërsa në ‘Elbasan Arena’, Egnatia do të luajë ndaj Dinamo City.
Rrogozhinasit kryesojnë renditjen e “Final 4” dhe janë në avantazh për të fituar titullin, pasi e kanë fatin në duart e tyre. Megjithatë, AF Elbasani dhe Vllaznia vazhdojnë të besojnë te mundësia për të realizuar përmbysjen në javën e fundit.
Gjatë gjithë sezonit, diferencat mes skuadrave kanë qenë minimale dhe përballjet direkte kanë treguar balancë të madhe, çka e bën edhe më interesante garën për titullin kampion. Çdo gol apo episod në dy stadiumet mund të ndikojë drejtpërdrejt në fatin e trofeut.
Pas një edicioni të gjatë dhe të luftuar, gjithçka do të vendoset në 90 minutat e fundit, aty ku futbolli shqiptar do të njohë kampionen e re të sezonit 2025/26.
Biletat për sfidat e fundit të “Final 4” mund të sigurohen online përmes platformës ebileta.al, si edhe pranë stadiumeve “Air Albania” dhe “Elbasan Arena”.