Donnarumma flet për Italinë, Guardiolën dhe Olimpiadën: Për kombëtaren do të bëja gjithçka

Kapiteni i Italisë, Gianluigi Donnarumma, ka folur nga grumbullimi në Coverciano, aty ku kombëtarja po përgatitet për miqësoret ndaj Luksemburgut dhe Greqisë nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Silvio Baldini. Portieri italian u shpreh i gatshëm të ndihmojë ekipin në një moment delikat, sidomos pas dështimit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës.

“Si kapiten ndjeva detyrimin të telefonoja Baldinin dhe t’i ofroja disponueshmërinë time. U gëzova shumë që më thirri. Edhe shokët e mi të skuadrës do të kishin ardhur me kënaqësi, sepse të gjithë duan ta rikthejnë Italinë aty ku e meriton”, deklaroi Donnarumma.

Gardiani i portës italiane tregoi se përjashtimi nga Botërori ka qenë një goditje shumë e rëndë për grupin.

“Pas eliminimit kam kaluar dy ose tri ditë pa u stërvitur. Pas penalltisë së fundit më është shembur bota mbi kokë. Ishte një goditje shumë e fortë. Megjithatë, mendoj se kjo plagë do të na ndihmojë në të ardhmen. Duhet të rinisim dhe do ta bëjmë, sepse kemi një grup të fortë dhe shumë të rinj cilësorë”, tha ai.

Donnarumma foli me shumë vlerësim edhe për ish-trajnerin Gennaro Gattuso, duke theksuar se ai kishte krijuar një atmosferë të veçantë në kombëtare së bashku me presidentin Gabriele Gravina dhe legjendën Gianluigi Buffon.

Portieri italian nuk e përjashtoi as mundësinë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Los Angeles 2028 me kombëtaren U-21 si lojtar mbi moshë.

“Shpresoj të shkojmë në Olimpiadë. Për kombëtaren do të bëja gjithçka dhe nëse trajneri do të mendonte se mund të ndihmoja si kapiten, do të isha shumë i lumtur”, u shpreh Donnarumma.

Në fund ai komentoi edhe zërat që lidhin Pep Guardiolën me stolin e Italisë. Donnarumma, i cili ka punuar me Guardiolën te Manchester City, foli me respekt për teknikun spanjoll.

“Me Guardiolën kam kaluar shumë mirë. Ai ka bërë histori te City dhe shpresoja të vazhdonte. Nuk kemi folur për mundësinë që të drejtojë Italinë, sepse zgjedhjet nuk varen nga unë. Kushdo që do të vijë duhet të japë gjithçka për fanellën axurre”, përfundoi portieri italian.