‘Do të më pëlqente’, Benitez kandidohet për stolin e Italisë, flet edhe për Allegrin te Napoli: Është dinak

Trajneri spanjoll, Rafa Benítez, ka lëshuar sinjale të qarta për të ardhmen e tij, duke u vetofruar si kandidat për stolin e kombëtares së Italisë. Ish-trajneri i Napolit dhe Interit foli për mikrofonat e ‘Sky Sport’ nga Budapesti, pak orë para finales së UEFA Champions League mes Arsenalit dhe Paris Saint-Germain.

I pyetur nëse do të pranonte të bëhej trajner i kombëtares italiane, Benítez nuk e fshehu dëshirën e tij:

“Po e përmirësoj italishten time. Për mua do të ishte një tjetër stimul të bëhesha trajner i Italisë. A do të më pëlqente? Po”.

Tekniku spanjoll komentoi edhe situatën te Napoli, duke vlerësuar zgjedhjen e presidentit Aurelio De Laurentiis për pankinën e klubit. Sipas tij, kalimi nga Antonio Conte te Allegri nuk do të jetë i lehtë, por presidenti napolitan di si të lëvizë në situata të tilla.

“De Laurentiis është shumë i zgjuar dhe e di se Allegri ka eksperiencën e duhur. Pas Contes nuk është e lehtë të gjesh një trajner tjetër në atë nivel dhe ai e gjeti”, deklaroi Benítez.