Sterling në telashe, arrestohet për drejtim automjeti nën efektin e drogës
Futbollisti anglez, Raheem Sterling është përfshirë në një skandal të rëndë jashtë fushës së lojës. Ish-‘ylli’ i Anglisë është arrestuar nga policia britanike pas një aksidenti automobilistik, me akuzat për drejtim automjeti nën efektin e substancave narkotike, drejtim të rrezikshëm dhe posedim droge të klasës C.
Ngjarja ndodhi të enjten në mëngjes, në zonën e Hampshire, në autostradën M3. Sipas raportimeve të policisë lokale, Lamborghini që drejtohej nga Sterling u përplas me barrierat anësore të rrugës pranë daljeve të Minley. Fatmirësisht, në aksident nuk u përfshinë automjete të tjera dhe nuk pati persona të lënduar.
Në deklaratën zyrtare të policisë thuhet se futbollisti 31-vjeçar, banues në Berkshire, u arrestua nën dyshimet për drejtim nën efektin e drogës, drejtim të rrezikshëm, posedim të substancave të klasës C dhe refuzim për t’iu nënshtruar testit të alkoolit. Më pas ai u lirua me kusht, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Substancat e klasës C në Britaninë e Madhe përfshijnë medikamente që kanë përdorim terapeutik, por që mund të abuzohen, si për shembull Fenobarbitali. Deri tani, përfaqësuesit e Sterling kanë zgjedhur të mos komentojnë publikisht mbi incidentin.
Aktualisht Sterling është pjesë e Feyenoordit, ku u transferua në shkurt pas ndërprerjes së kontratës me Chelsea-n. Në pjesën e dytë të sezonit 2025-26 ai zhvilloi tetë ndeshje në Eredivisie me skuadrën holandeze.
Karriera e sulmuesit anglez ka qenë e pasur me suksese. Sterling u bë i njohur fillimisht te Liverpuli, përpara se të transferohej te Manchester City, ku fitoi katër tituj kampionë në Premier League dhe u kthye në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Në vitin 2022 ai kaloi te Chelsea për 47.5 milionë sterlina, ndërsa sezonin 2024-25 e kaloi në formë huazimi tek Arsenali.
Me kombëtaren e Anglisë, Sterling regjistroi 82 paraqitje dhe shënoi 20 gola mes viteve 2012 dhe 2022, duke qenë për një kohë të gjatë një nga figurat kryesore të “Tre Luanëve”. Tashmë, emri i tij rikthehet në qendër të vëmendjes jo për futbollin, por për problemet serioze me ligjin.