Liverpooli shkarkon trajnerin Arne Slot, Iraola favorit për stolin e 'The Reds'

Një epokë e shkurtër, por e suksesshme, ka marrë fund te Liverpooli. Klubi anglez ka zyrtarizuar ndarjen me trajnerin Arne Slot pas dy sezonesh në “Anfield”, duke mbyllur kështu bashkëpunimin me teknikun holandez që arriti t’i rikthente “Reds” në majën e futbollit anglez.

Slot do të mbahet mend veçanërisht për sezonin e tij të parë, kur arriti të fitonte titullin e 20-të kampion në historinë e klubit, duke rikthyer entuziazmin te tifozët e Liverpoolit pas largimit të Jurgen Klopp-it. Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë vendosur të ndryshojnë drejtim, duke argumentuar se skuadra ka nevojë për një impuls të ri për të vazhduar rrugën e saj drejt suksesit.

“Është e tepërt të thuhet se kjo ishte një vendimmarrje e vështirë për klubin. Kontributi i Arne Slot-it ka qenë shumë i rëndësishëm dhe është kurorëzuar me sukses. Megjithatë, kemi arritur në përfundimin se ndryshimi është i nevojshëm që klubi të vazhdojë të ecë përpara”, shkruhej në komunikatën zyrtare të Liverpoolit. Klubi falënderoi trajnerin holandez për punën e bërë, duke theksuar se ai dhe familja e tij do të jenë gjithmonë të mirëpritur në “Anfield”.

Menjëherë pas largimit të Slotit kanë nisur spekulimet për pasuesin e tij. Sipas medieve më të mëdha angleze, mes tyre “The Guardian” dhe “BBC”, kandidati kryesor për stolin e Liverpoolit është Andoni Iraola. Trajneri bask zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm me Bournemouthin, duke e dërguar skuadrën në Europa League dhe duke fituar vlerësime të shumta për stilin e tij ofensiv dhe organizimin taktik.

Emri i Iraolës ishte lidhur edhe me Milanin gjatë javëve të fundit, por pista u ftoh pas interesimit konkret të Crystal Palace, skuadër që sapo fitoi Conference League. Tani, mundësia për të marrë drejtimin e Liverpulit do të përfaqësonte një hap të madh në karrierën e trajnerit spanjoll.

Nëse marrëveshja realizohet, Iraola do të trashëgonte një skuadër me pritshmëri shumë të larta dhe me objektivin e qartë për të vazhduar dominimin në Angli dhe për të rikthyer suksesin edhe në Europë. Për Liverpoolin nis kështu një tjetër kapitull i rëndësishëm, ndërsa tifozët presin të mësojnë se kush do të jetë njeriu që do të udhëheqë “Reds” në epokën e re.