Berisha voton për këshillin kombëtar të PD-së: Listat dinjitoze, përfaqësojnë elitën e vërtetë politike
15:53, 30/05/2026
Kryetari i PD-së, Sali Berisha votoi për anëtarët e këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij për gazetarët pas votës Berisha tha se lista përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike të Shqipërisë dhe janë dinjitoze.
Sali Berisha: Vazhdon Kuvendi i gërshetuar me fjalimet dhe votimet, të cilat janë të domosdoshme si procese. Por unë jam i bindur se këto lista përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike të Shqipërisë, përfaqësojnë një ripërtëritje në frymën e këtij Kuvendi si Kuvendi i ripërtëritjes. Listat pra janë nga më dinjitozet. Natyrisht shumësia e kandidaturave e bën të vështirë zgjedhjen, të jemi realistë sepse ka kandidatura të shkëlqyera.
Gazetari: Se u vonuat...
Sali Berisha: U vonova se i kanë ndarë kësaj here, edhe mirë kanë bërë, i kanë ndarë në votimin veçmas për burrat, veçmas për zonjat dhe veçmas për të rinjtë.
Besoj se kanë vepruar drejt në mënyrë që përqindjet e tyre dhe kuotat e tyre të respektohen. Uroj që gratë të arrijnë në 40% edhe është një detyrim statutor të rinjtë të jenë sa më të pranishëm. Pra dhe kaq, unë do shkoj të vazhdoj të dëgjoj fjalimet.
Gazetari: Një ripërtëritje çfarë do të thotë? Do të prekë kjo të gjitha strukturat dhe forumet e Partisë Demokratike apo vetëm Këshillin Kombëtar?
Sali Berisha: Ripërtëritje do të thotë vizioni, do të thotë një modernitet i Partisë Demokratike dhe një organizim krejt, shumë më i fuqishëm.
Gazetari: Do të thotë njerëz të rinj në strukturat? Ripërtëritjet edhe me emra të rinj?
Sali Berisha: Ripërtëritje pa diskutim, nga seksioni i gjerë...
Gazetari: Deri te majat e saj? Deri te majat domethënë, në kryesi, nënkryetarët, e të gjithë...
Sali Berisha: Tani ato i përcakton vota...por sensi i ripërtëritjes është një fill i kuq që përshkon gjithçka. Jo, vota i përcakton natyrisht, të jemi të hapur.
Gazetari: Nëse ju propozoni emra të rinj?
Berisha: Unë do propozoj pa diskutim. Ajo s'ka diskutim ajo.