Luis Enrike paralajmëron Arsenalin: Ka një favorit në këtë finale, por...

Finalja e Ligës së Kampionëve po afron dhe për Luis Enriken kjo do të jetë një ndeshje ku, sipas tij, ekziston një favorit. Në konferencën për shtyp, një ditë para sfidës me Arsenalin, trajneri i PSG-së theksoi se skuadra e tij mbërrin në formën optimale për të synuar triumfin europian.

Sulmi më i mirë kundër mbrojtjes më të mirë
“Do të thosha se janë dy qasje të ndryshme, por të ngjashme, sepse të dy ekipet synojnë të shënojnë dhe të mbrohen mirë. Thjesht rrugët që ndjekin për ta arritur këtë janë të ndryshme”.

Analiza e Arsenalit

“Arsenali nuk më ka surprizuar. Ata e meritonin të fitonin Premier League dhe, nëse nuk gaboj, ky është viti i shtatë i Artetës në krye të ekipit. Mund të shihet qartë se çfarë skuadre ka ndërtuar”.

Nëse e sheh veten si një legjendë të klubit
“Është pozitive që tifozët e shohin kështu, por ajo që duam është të vazhdojmë të jemi një nga ekipet më të mira në Europë dhe në botë”.

Bilanci i këtij edicioni

“Mendoj se i kam shijuar të gjitha ndeshjet që kemi luajtur në këtë Ligë Kampionësh. Në ndeshjet me eliminim direkt kemi treguar se çfarë skuadre jemi. Kemi dominuar dhe kemi arritur sërish në finale. Është diçka shumë e vështirë për çdo ekip dhe historike për ne”.

Përgatitjet për finalen

“U përpoqëm t’i jepnim skuadrës pak pushim në fund të sezonit. Kemi pasur kohë të analizojmë Arsenalin, por e njohim shumë mirë. Gjithmonë ka detaje që mund të përmirësohen dhe besoj se do të jemi më të mirë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Megjithatë, kjo është një ndeshje e veçantë, sepse nuk e di kurrë kur do të kesh sërish mundësinë të luash një finale të tillë”.

Presioni para finales

“Është normale që, nëse nuk fiton, të kritikohesh. Nëse vitin e ardhshëm humbasim tre ndeshje radhazi, do të jemi në vështirësi. Në finalen ndaj Interit nuk ishte diferenca mes dy skuadrave ajo që përcaktoi rezultatin. Sinqerisht, mendoj se ka një favorit në këtë finale, por duhet të jesh i përqendruar çdo sekondë, sepse pritshmëritë janë shumë të mëdha dhe është e rëndësishme të menaxhosh presionin”.

Deklaratat e Artetës

“Nuk ka motivim më të madh sesa të luash në një finale. Nesër do të shohim se kush është më i miri. Unë jam i përqendruar vetëm te fakti që skuadra jonë të japë maksimumin”.

Arritja e finales

“Ishte objektivi im dhe i klubit, ndoshta jo kaq shpejt sa ndodhi. Mendoj se e meritonim edhe vitin e kaluar. Gjithçka bëhet më e lehtë kur ke cilësinë dhe nivelin e këtyre lojtarëve. Tani e ardhmja është nesër”.

Pse PSG mund ta fitojë trofeun

“Sepse, para së gjithash, ne jemi kampionë. Gjithashtu, askush nuk ka pasur një kalendar më të vështirë se ne në dy vitet e fundit. Kjo na ka kushtuar humbje ndeshjesh dhe na ka ekspozuar shumë, por njëkohësisht na ka bërë të rritemi. Shpresoj që nesër të shohim një finale të madhe dhe që skuadra që luan futbollin më të mirë ta fitojë. Për këtë nuk kam asnjë dyshim”.