Baçi: Kuvendi i PD-së hap rrugën për figura të reja dhe aksion të fuqishëm opozitar
Deputeti i PD-së Luan Baçi për SYRI TV u shpreh se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike është organi më i lartë i partisë dhe një moment vendimtar për riorganizimin e saj dhe përcaktimin e drejtimit politik për katër vitet e ardhshme.
Ai theksoi se në këtë Kuvend do të miratohen ndryshime statutore dhe do të zgjidhet Këshilli Kombëtar, si organi kryesor vendimmarrës midis dy kuvendeve.
Sipas tij, procesi shënon një fazë të re të ripërtëritjes së PD-së, me synim energji të reja, figura të reja dhe forcimin e strukturave drejtuese.
Pjesë nga deklarata:
Kuvendi është organi më i lartë i Partisë Demokratike. Ai realizohet një herë në katër vjet dhe shërben si udhërrëfyes për katër vitet e ardhshme. Do të ketë ndryshime që tashmë janë bërë publike në statutin e Partisë Demokratike, ndryshime që nuk prekin themelin dhe thelbin e programit apo të statutit dhe, patjetër, do të zgjedhë organin më të lartë midis dy kuvendeve, një organ shumë të rëndësishëm siç është Këshilli Kombëtar, i cili merr vendime midis dy kuvendeve. Besoj se do të jetë një kuvend, vërtet do ta quaja një kuvend historik, pas Kuvendit të 11 dhjetorit të vitit 2021, Kuvendit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, që hodhi themelet për forcimin, rithemelimin dhe ripërtëritjen e Partisë Demokratike. Kemi kaluar procesin e rëndësishëm të zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike me referendumin e të shtunës së kaluar; sot, siç e përmendëm, do të zgjedhim Këshillin Kombëtar dhe i urojmë suksese në vazhdimësi.
Patjetër që do të sjellë energji të reja. Duhet të sjellë energji të re, por energjia e re duhet të vijë edhe me një frymë të re, me figura të reja, me struktura të reja. Dhe unë e kam thënë shpeshherë në daljet e fundit në media: Partia Demokratike ka nevojë për ripërtëritje, për riformim, për të rinj që të jenë në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike. Dhe besoj se kryetari i Partisë Demokratike, zoti Berisha, pas zgjedhjes së Këshillit Kombëtar, do të nominojë më të duhurit për sekretar të përgjithshëm, për nënkryetarë, për drejtues departamentesh dhe për anëtarë kryesie.