Milei provokon Brazilin para Botërorit 2026: Gëzimi është i Argjentinës, jo i tyre
Presidenti argjentinas, Javier Milei, ka rikthyer rivalitetin tradicional futbollistik me Brazilin, duke deklaruar se “gëzimi nuk është brazilian, por argjentinas”, ndërsa komentonte shanset e kombëtares së vendit të tij për Botërorin 2026.
Gjatë një konference para sipërmarrësve, Milei iu referua publikimit të listës së lojtarëve të grumbulluar nga Argjentina për Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Presidenti shprehu dëshirën që skuadra e drejtuar nga Lionel Messi të vazhdojë dominimin ndaj rivalit historik, Brazilit.
Pasi vlerësoi faktin se Argjentina ishte vendi i parë i Mercosur-it që ratifikoi marrëveshjen me Bashkimin Europian, Milei kaloi te futbolli duke theksuar se “gëzimi nuk ka qenë brazilian, por argjentinas”. Më tej ai shtoi se shpreson që “edhe pas disa muajsh gëzimi të jetë sërish i Argjentinës”, duke e mbyllur fjalën e tij me thirrjen entuziaste: “Vamos Messi, carajo!”.
Nuk është hera e parë që lideri ultraliberal përfshihet publikisht në debatet futbollistike. Rivaliteti me Brazilin duket se e motivon veçanërisht, ndoshta edhe për shkak të përplasjes politike me presidentin brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, një tifoz i njohur i futbollit dhe mbështetës i klubit Corinthians.
Pas fitores së thellë 4-1 të Argjentinës ndaj Brazilit në eliminatoret e Botërorit, në shkurt të vitit 2025, Milei publikoi në rrjetet sociale një mesazh provokues në portugalisht: “Alegria não tem fim” (“Gëzimi nuk ka fund”). Ai e përshkroi atë ndeshje si “një vallëzim të pamëshirshëm”, duke ushqyer më tej rivalitetin mes dy fuqive të futbollit të Amerikës së Jugut.