Befason presidentja e Meksikës, biletën e saj të Botërorit ia dhuron sportistes indigjene

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, vendosi t'ia dhurojë biletën e saj për ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 një atleteje indigjene.

Sheinbaum, gruaja e parë presidente në 200 vitet e historisë së vendit, ia dha biletën nr. 00001 Yolett Cervantes Cuaquehua-s, një vajzë indigjene 21-vjeçare nga shteti lindor i Veracruzit.

Meksika do të luajë ndeshjen hapëse kundër Afrikës së Jugut më 11 qershor në mitikun Azteca.

Yolett u përzgjodh nga një juri pasi fitoi një konkurs falë aftësive të saj në kontrollin e topit. Gjatë ceremonisë së dorëzimit të biletës, Sheinbaum deklaroi:
“Ju jeni krenaria e Meksikës. Nuk do të përfaqësoni presidenten apo qeverinë, por vetë Meksikën.”

Presidentja gjithashtu dhuroi bileta për ndeshje të tjera që do të zhvillohen në Mexico City, Guadalajara dhe Monterrey edhe për tri sportiste të tjera amatore, të moshave 16, 22 dhe 23 vjeçe, të zgjedhura po ashtu përmes një konkursi të organizuar nga qeveria.

Në fund, Yolett falënderoi presidenten duke thënë:

“Ju falënderoj shumë që na morët në konsideratë.”