Luis Enrique: Shpresoj që finalja të jetë një festë e futbollit
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, është shfaqur tepër i sigurt dhe optimist në prag të finales së Champions League, ku skuadra franceze synon të fitojë trofeun e dytë radhazi europian. Tekniku spanjoll u paraqit energjik, i drejtpërdrejtë dhe plot besim, duke dhënë sinjale të qarta se PSG-ja ndihet gati për sfidën më të rëndësishme të sezonit.
“Ne jemi kampionët dhe asnjë skuadër nuk ka pasur një kalendar më të vështirë se yni. Shpresoj që finalja e nesërme të jetë një festë e futbollit dhe të fitojë skuadra më e mirë”, deklaroi Luis Enrique.
Trajneri i PSG-së foli me respekt edhe për kundërshtarin dhe homologun e tij tek Arsenali, Mikel Arteta. Sipas tij, të dy ekipet kanë filozofi të ngjashme loje, të bazuara në sulm dhe organizim të fortë mbrojtës.
“Ne shënojmë shumë gola, por gjithashtu mbrohemi shumë mirë. Edhe ata bëjnë të njëjtën gjë. Arsenali e meriton plotësisht statusin si kampion i Premier League”, u shpreh ai.
Luis Enrique e di se PSG tashmë ka hyrë në histori pas triumfit të sezonit të kaluar në Champions League, por ambiciet e tij nuk ndalen këtu. Ai ka menaxhuar me kujdes skuadrën gjatë gjithë sezonit, duke u dhënë lojtarëve pushimin e nevojshëm pas një kalendari tepër të ngarkuar.
Tashmë, sipas trajnerit spanjoll, të gjithë futbollistët janë në formë optimale dhe plotësisht të bindur për projektin e klubit. Kapiteni Marquinhos dhe sulmuesi Ousmane Dembélé, të zgjedhur për konferencën për shtyp përpara finales, e cilësuan Luis Enrique-n si trajnerin më të mirë me të cilin kanë punuar ndonjëherë. Ata theksuan se tekniku spanjoll i ka bërë lojtarë më të mirë dhe se skuadra ndihet gati për të përballuar çdo sfidë.
Edhe pse vitet në futboll kanë lënë gjurmë tek Luis Enrique, ai vazhdon të shijojë punën e tij me të njëjtin pasion. Lojtarët kanë përqafuar stilin e tij intensiv, agresiv dhe kërkues, një filozofi që ka sjellë rezultate të mëdha për PSG-në.
“Është motivuese të fitosh të dytën”, përfundoi trajneri spanjoll, duke iu referuar mundësisë për të ngritur edhe një herë trofeun më prestigjioz europian për klube.