Arteta karikon Arsenalin: Duhet guxim për të shkruar historinë

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, është shfaqur shumë i motivuar në konferencën për shtypin përpara finales së Champions League kundër PSG-së. Tekniku spanjoll theksoi se skuadra londineze ka një mundësi për të hyrë në histori, duke kujtuar se kjo është vetëm finalja e dytë e Arsenalit në këtë kompeticion pas asaj të vitit 2006.

“Është një mundësi për ta jetuar plotësisht këtë moment, sepse është hera e dytë në historinë tonë që ndodhemi këtu. Kemi shansin të shkruajmë një kapitull të ri në historinë e klubit. Për ta bërë këtë, duhet të luajmë me kthjelltësi, me shumë guxim dhe me një dëshirë të pandalshme për të fituar”, deklaroi Arteta.
Duke folur për trajnerin e PSG-së, Luis Enrique, me të cilin ka qenë edhe shok skuadre te Barcelona, Arteta u shpreh me shumë respekt: “Ai ka qenë gjithmonë një pikë reference, që nga koha kur ishte futbollist, sepse ishte vërtet i veçantë. Gjurmët e tij shihen kudo te kjo skuadër: tek identiteti, mentaliteti dhe mënyra si luajnë futbollistët. Ka qenë një burim frymëzimi për mua”.


Arteta komentoi edhe humbjen e sezonit të kaluar në gjysmëfinale ndaj PSG-së, duke thënë se ajo eksperiencë e ka bërë skuadrën më të fortë dhe më të bindur në aftësitë e saj.

“Kur i rishikova ndeshjet, mbeta shumë i kënaqur me atë që pashë. U binda edhe më shumë se kishim qenë shumë pranë finales dhe se në disa momente nuk patëm fat. Të dyja skuadrat kanë evoluar dhe jam i sigurt se nesër do të shohim një ndeshje ndryshe”, tha ai.

Në fund, trajneri i Arsenalit vlerësoi forcën e kundërshtarit, por theksoi se londinezët kanë ardhur për të fituar trofeun: “Ata janë kampionët në fuqi dhe e kanë merituar ta ngrenë kupën. Por ne jemi këtu për t’ua marrë atë”.