‘Kontrolloni 70% të Gazës’ - OKB qorton Izrealin: 100% e Gazës duhet të jetë për popullin palestinez!

OKB-ja qortoi Izraelin të premten pasi kryeministri Benjamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë e tij të pushtonte 70% të Gazës, duke thënë se i gjithë territori palestinez duhet të jetë për palestinezët.

"Njëqind përqind e Gazës duhet të jetë për popullin palestinez", u tha zëdhënësi Stephane Dujarric gazetarëve në selinë e OKB-së në Nju Jork. "Kjo është ajo që duam të shohim dhe i kemi bërë thirrje Izraelit të tërhiqet nga pushtimi i tij nga e ashtuquajtura vija e verdhë dhe ky do të vazhdojë të jetë qëndrimi ynë."

Netanyahu tha të enjten se Izraeli aktualisht kontrollon 60% të Rripit të Gazës dhe sinjalizoi plane për ta zgjeruar atë më tej në 70%. Ai nuk dha detaje se si do të zbatoheshin plane të tilla.

Ushtria izraelite njoftoi në tetor të vitit të kaluar se kontrollonte 53% të Rripit të Gazës, pasi u ripozicionua në të ashtuquajturën “vija e verdhë”, sipas fazës së parë të planit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Gaza.

Marrëveshja parashikonte tërheqje të mëtejshme izraelite sipas fazës së dytë, e cila nisi në janar. "Vija e verdhë" i referohet një zone të përkohshme ndarëse në Gazën lindore që ndan zonat nën kontrollin ushtarak izraelit nga zonat ku palestinezëve u lejohet të qëndrojnë.

Por burimet palestineze thonë se kufiri është shtyrë vazhdimisht drejt perëndimit në muajt e fundit.

Bassem Naim, një zyrtar i lartë i Hamasit, i tha Anadolu-t se Izraeli e ka zhvendosur vijën me 8% deri në 9% shtesë në territorin e Gazës, duke e rritur zonën nën kontrollin izraelit në më shumë se 60%./ AA.