Cannavaro ëndërron stolin e Italisë: Po punoj që një ditë të bëhem trajner i kombëtares

Legjenda e futbollit italian, Fabio Cannavaro, ka rrëfyer objektivin e tij më të madh si trajner: drejtimin e Italisë në të ardhmen. Ish-kapiteni i Italisë kampione bote në vitin 2006, sot në krye të Uzbekistanit, foli për eksperiencën e tij të re dhe për mungesën e “Axurrëve” në Botërorin 2026.

Cannavaro kujtoi emocionet e triumfit historik të vitit 2006, duke zbuluar se pas finales së fituar ndaj Francës kishte fjetur me Kupën e Botës në shtrat. Tashmë, 20 vite më vonë, ai do të marrë pjesë në Botërorin 2026 si trajner i Uzbekistanit, një kombëtare që ndodhet në një grup shumë të vështirë me Portugalinë, Kolumbinë dhe Republikën Demokratike të Kongos.

Ish-mbrojtësi kritikoi edhe situatën aktuale të futbollit italian, duke theksuar se Italia nuk duhet të kishte munguar në Botërorin 2026. Sipas tij, problemi kryesor lidhet me mungesën e investimeve te akademitë dhe humbjen e identitetit tradicional të futbollit italian.

“Ne kemi lojtarë si Donnarumma, Barella, Bastoni apo Tonali. Është e vështirë të pranosh që një skuadër me këtë cilësi të mbetet jashtë Botërorit”, deklaroi Cannavaro.

Trajneri italian tregoi se po shijon aventurën me Uzbekistanin, duke vlerësuar disiplinën dhe dëshirën për të mësuar të lojtarëve të tij. Ai shtoi se në vendin aziatik ka gjetur një mentalitet shumë pozitiv dhe një ambient profesional në zhvillim të vazhdueshëm.

Në fund, Cannavaro foli hapur për ambicien e tij më të madhe: “Pas 20 vitesh e shoh veten ende trajner. Po punoj që një ditë të bëhem trajner i Italisë”.

Ai zbuloi edhe një prapaskenë interesante nga finalja e vitit 2006 ndaj Francës. Nëse seria e penalltive do të vazhdonte pas goditjes së Fabio Grossos, penalltitë e radhës do të goditeshin nga Luca Toni dhe Vincenzo Iaquinta, ndërsa Cannavaro dhe Gennaro Gattuso ishin lënë të fundit.