SYRI TV/ Berisha takon përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, Berisha:Në fokus ligji i financimit të partive

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me delegacionin e Komisionit të Venecias, me fokus ligjin e financimit të partive politike. Pas takimit, në një deklaratë për gazetarët nga kryesia e Kuvendit, Berisha tha se kishte informuar ekspertët e Venecias për pabarazinë ekstreme të financimit mes PS-së dhe opozitës në zgjedhje. Ai theksoi përdorimin e miliardave nga buxheti i shtetit gjatë fushatës, bonusin e pensionistëve, faljen e gjobave dhe aktivitetet zgjedhore me fonde publike. Berisha denoncoi gjithashtu politizimin e KQZ-së dhe SPAK-ut, si dhe amnistimin e krimeve zgjedhore. Ai kërkoi organe gjyqësore të pavarura, ndërsa për Reformën Zgjedhore nënvizoi se duhet t’i përmbahet rekomandimeve të ODIHR-it.

Lideri i opozitës zhvilloi gjithashtu një takim në kryesinë e Kuvendit me ekspertët e Komisionit të Venecias. Takimi u përqendrua tek ligji i financimit të partive politike dhe standardet e barazisë në proceset zgjedhore. Gjatë bashkëbisedimit, Berisha theksoi se financimi i partive mbetet një çështje themelore për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kryedemokrati ngriti shqetësimin se financimi i paligjshëm, përmes shfrytëzimit të buxhetit të shtetit në favor të PS-së, ishte faktor kryesor që degradoi zgjedhjet e 11 majit në një farsë elektorale. Ai paraqiti para delegacionit fakte dhe të dhëna konkrete mbi pabarazinë ekstreme mes mazhorancës dhe opozitës në zgjedhjet e fundit.

Detajet nga takimi, Berisha i dha në një deklaratë për gazetarët, ku tha se kishte informuar përfaqësuesit e Venecias për të gjitha parregullsitë, duke përfshirë bonusin elektoral, aktivitetet me fonde publike, si dhe faljen e gjobave dhe rastin e Giro d’Italia.

Lideri i opozitës u ndal gjithashtu tek ato që i konsideroi armiqësi institucionale ndaj opozitës, duke përmendur politizimin e SPAK-ut dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai tha se PD-ja kishte referuar në SPAK të paktën 43 dosje për krime zgjedhore, por ato janë amnistuar nga Prokuroria Speciale.

Berisha komentoi edhe raportin e IBAR për Shqipërinë, ku për herë të parë flitet për rrjetet e patronazhistëve në zgjedhje. Gjatë deklaratës për gazetarët, kryedemokrati hodhi akuza edhe ndaj ish-deputetes socialiste Olta Xhaçka, të cilën e krahasoi me Belinda Ballukun.

Berisha u shoqërua në këtë takim nga bashkëkryetari për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, dhe deputetët Albana Vokshi e Ivi Kaso, ndërsa delegacioni i Komisionit të Venecias përbëhej nga anëtarët Oliver Kask, Saša Zagorc, Laura Stefan dhe Michael Jenssen. Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias ndodhen në Shqipëri për të mbledhur opinione nga partitë politike, përpara publikimit të rekomandimeve mbi ligjin e financimit të partive politike, të cilat pritet të bëhen publike në muajin qershor.