Gjithçka për 11 të besuarit e Edi Ramës, me të cilët starton mandatin e dytë

Të pakta ishin surprizat në qeverinë “Rama II”. Përveç katapultimit të jashtëzakonshëm që i bëri një politikaneje teje rajonale si Senida Mesi, përjashto edhe postin “modest” që i dha Pandeli Majkos, të gjitha emërimet e tjera janë vazhdimi I punës së klanit të ngushtë të Rilindjes, veçanërisht në fushat ku prodhohen të ardhura të mëdha.

Por gjithsesi; kush janë ata që do të drejtojnë shtetin në vazhdim? Ku kanë lindur, çfarë arsimimi dhe familje kanë, cila është karriera e tyre?

Senida Mesi, Zv. kryeministre e qeverisë “Rama II”

Senida Mesi lindur dhe banuese në Shkodër, më 16 Dhjetor 1977. Ajo është e martuar me Dr. Artanin dhe kanë 3 fëmijë, Erlind, Iris dhe Edan. Znj. Mesi ka përfunduar  në vitin 2009 Masterin Ekzekutiv në Frankfurt, Gjermani, për Financë dhe Bankë. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Administrim-Biznes, në vitin 2000.

Në vitin 2013 certikohet Kontabël i Miratuar dhe në 2016 certikohet në lidership dhe qeverisje nga Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike, financuar nga BE.

Senida Mesi ka hyrë në politikë në vitin 2015, kur edhe u bë Anëtare e Këshillit Bashkiak Shkodër. Ajo ka një eksperiencë 17 vjeçare si drejtuese në sistemin bankar dhe është eksperte në fushën e ekonomisë dhe financës, njëkohësisht lektore e jashtme në Fakultetin Ekonomik. Aktualisht mban detyrën e administratore në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.

Në CV-në e saj Mesi shkruan, se  zotëron gjuhën angleze dhe italiane.

Pandeli Majko, ministër i Diasporës

Pandeli Majko lindi më 15 nëntor 1967 në Tiranë. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Tiranës në vitet 1986- 1992.

Gjithashtu ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitet 1994-2000. Zoti Majko ka një karrierë të pasur politike.

Karriera e Pandeli Majkos do të niste me Kryetar FRESSH në vitet 1992- 1995. Ka mbajtur dy herë postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Po ashtu dhe postin e Ministrit të Mbrojtjes e ka mbajtur dy herë në qeveritë socialiste.

Karriera e tij politike do të kulmonte në vitet 1998-1999 ku do të merrte postin e Kryeministrit në Qeverinë e Shqipërisë. Po këtë post, atë të kryeministrit, e ka mbajtur për 8 muaj edhe në vitin 2002. Ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për hartimin e Kushtetutës shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1997 – 1998.

Sot është Kryetar i Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në pesë legjislatura dhe është anëtar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.Eshte rizgjedhur deputet ne zgjedhjet parlamentare te 2017.

Fatmir Xhafa, ministër i Brendshëm

Fatmir Xhafa është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në katër legjislatura dhe është kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Politiko – Juridike, dega Drejtësi. Ka një veprimtari profesionale të pasur në fushën e jurisprudencës. Në vitet 1982-1986 ka qenë jurist në sistemin e drejtësisë.

Në veprimtarinë politike nga viti 1997 deri në vitin 1999 ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Ka mbajtur postin e Ministrit të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit në harkun kohor shkurt-shtator 2002 dhe atë të ministrit të Drejtësisë në vitet 2003- 2005. Zoti Xhafaj është zgjedhur deputet sërish në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Përpara viteve 90-të ka punuar në organet e Ministrisë së Brendshme si dhe ka qenë I zgjedhur në strukturat më të larta të Komitetit Qëndror të Rinisë Shqiptare.

Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes

Olta Xhaçka është diplomuar për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Master of Arts (MA), për Administrim Publik nga Clark University, SHBA.

Në vitin 2006 ka qenë hartuese projektesh për organizata joqeveritare, si dhe pjesë aktive e shoqërisë civile, kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut dhe mirëqeverisjes.

Për disa vite ka qenë pedagoge e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, pranë Universitetit Neë York Tirana. Është zgjedhur deputete e Partisë Socialiste në dy legjislatura dhe është anëtare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Znj. Xhaçka ka mbajtur postin e Ministres së Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Ditmir Bushati, ministër Jashtëm

Ditmir Bushati, i lindur në Shkodër më 24 mars 1977 është zgjedhur deputet për Qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009.

I diplomuar në Fakulteti i Drejtësisë ai ka kryer studimet për master në të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Leidenit, Holandë, si dhe një sërë specializimesh jashtë vendit.

Ka punuar si Asistent Ligjor në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, në Zyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Këshilltar Ligjor në Gjykatën Kushtetuese, Drejtor i Përafrimit të Legjislacionit në Ministrinë e Integrimit Europian, Drejtor Kërkimesh pranë Institutit Agenda, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, por dhe si lektor dhe konsulent në projekte të ndryshme të Bashkimit Europian, Bankës Botërore, USAID, Fondacionit Friedrich Ebert, etj.

Ditmir Bushati është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste dhe anëtar i Grupit të Strategjisë së Komunikimit. Ai shërben dhe si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian dhe anëtar i Komiteti të Përbashkët Parlamentar BE-Shqiperi.

Arben Ahmetaj, ministër i Ekonomisë e Punës

Arben Ahmetaj, i lindur në Gjirokastër më 28 qershor 1969, u zgjodh deputet për Qarkun e Korçës në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009.

Ai ka përfunduar studimet për Gjuhë Angleze, i Specializuar në Literaturë Amerikane dhe Angleze, në Universitetin e Tiranës. Ka përfunduar studimet master në SHBA për Tregëti Ndërkombëtare dhe Diplomaci, si dhe doktoraturën në Universitetin e Bukureshtit me temën, “Siguri energjitike, Siguri ndërkombëtare”.

Arben Ahmetaj ka punuar si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës, këshilltar për Çështjet Fiskale pranë Bankës Amerikane të Shqipërisë, Shef i Kabinetit të Ministrit të Financave, Zëvendës Ministër i Integrimit Europian dhe i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste dhe Kryetar i Sekretariatit për Sipërmarrjen dhe Grupet e Interesit. Arben Ahmetaj është anëtar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë. Është rizgjedhur deputet sërish në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Orgerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social

Ogerta Manastirliu ka lindur në Tiranë, në 31 dhjetor 1978. Ajo është e martuar me Ermal Gjinaj, dhe është nënë e dy vajzave, Altea dhe Emili. Ajo mban titullin “Doktor i Shkencave”, në Kimi Analitike dhe Mjedis.

 Ajo ka kryer studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, ku është diplomuar dhe ka marrë titullin “Master në Shkencë” në degën e Kimisë së Përgjithshme. Prej vitit 2009, është angazhuar si pedagoge e jashtme pranë këtij Fakulteti. Ka shërbyer në Bashkinë e Tiranës, fillimisht në vitin 2004, në Drejtorine e Koordinimit të Projekteve.

Gjatë viteve 2005-2011, ka drejtuar Drejtorinë e Strehimit dhe Sherbimit Social. Në periudhën 2011-2013, Manastriliu është angazhuar si eksperte për menaxhimin dhe koordinimin e politikave sociale dhe burimeve njerëzore për organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si UNFPA, Friedrich Ebert Stiftung, etj. Prej shtatorit 2013 deri në mars 2017, ajo drejton Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Ajo ka një aktivizim relativisht të gjatë në radhët e Partisë Socialiste dhe është anëtare e Asamblesë Kombëtare. Manastirliu thotë në CV-në e saj zotëron gjuhën Angleze dhe Italiane.

Lindita Nikolla, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Lindita Nikolla ka kryer studimet Master në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzekutiv pranë Albanian University (UFO) dhe në vitin 1989 ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë, dega Matematikë-Mësuesi. Nikolla për një kohë të gjatë ka punuar si mësuese dhe drejtuese shkollash të sistemit parauniversitar.

Në politikë hyri në vitin 2003, vit që u zgjodh edhe si Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, Tiranë, detyrë e mbajtur për 3 vjet. Është zgjedhur për dy mandate (në periudhën 2007- 2011 dhe 2011- 2013), Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë, ndërsa në 2013, zgjidhet deputete e qarkut të Tiranës. Nga shtatori i vitit 2007 ajo është edhe anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.

Në vitin 2013 emërohet nga kryeministri Edi Rama si Ministre e Arsimit dhe Sportit në kabinetin qeveritar Rama-Meta. Është zgjedhur është zgjedhur deputet sërish në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Niko Peleshi , minstër i Bujqësisë

Niko Peleshi ka lindur në qytetin e Korçës, më 11 nëntor 1970.

Ka kryer studimet e larta për Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës, duke marrë titullin Inxhinier Elektronik. Në vitin 1989 ka përfunduar shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi” në Korçë.

Peleshi ka pasur një angazhim të gjatë në fushën e biznesit privat në qytetin e vendlindjes, si dhe në vitet 2001-2004, ka drejtuar me sukses Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Korçë.

Karriera politike e  Peleshit fillon në tetor të 2004-ës, kur emërohet Prefekt i Qarkut Korçë dhe e ushtron këtë funksion për rreth një vit. Në vitin 2005, zgjidhet Kryetar i Partisë Socialiste të qytetit të Korçës. Në zg­jedhjet lokale të shkurtit 2007 zgjidhet Kryetar Bash­kie i Korçës, për t'u rikonfirmuar edhe njëherë si Kryetar Bashkie në zgjedhjet lokale të 2011-s. Prej vitit 2012 është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.

Niko Peleshi në vitin 2013 zgjidhet Zëvendëskryeministër në qeverinë Rama-Meta. Kurse në qeverinë “Rama II” ai do të drejtojë një nga minstritë më të rëndësishme, siç është ajo e bujqësisë

Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës

Damian Gjiknuri lindi më 25 Maj 1972, në qytetin e Tiranës. Ai banon në Tiranë dhe është i martuar me Rovena Gjiknurin (Agollin), me të cilën ka një djalë, Aleksin. Ai është i diplomuar në Drejtësi në vitin 1994, në Universitetin e Tiranës dhe zotëron gradën Master në Politikat Publike dhe Ligj të lëshuar nga “NPS School” të Monterey, Kaliforni, SHBA (2004) dhe Kolegji i Ligjit Londër, Britani e Madhe (1996).

Gjatë aktivitetit profesional, në periudhën që ka punuar pranë Shërbimit Informativ Kombëtar, ka kryer dhe kurse të ndryshme profesionale në institucione të ndryshme arsimore dhe profesionale në SHBA dhe BE, në fushat e sigurisë, mjetet speciale te hetimit, hetimi penal, kontratat publike, koncesionet, politika publike, ligjet zgjedhore etj. Gjiknuri është anëtar i Partisë Socialiste që nga viti 2005 dhe është zgjedhur Deputet në Qarkun e Elbasanit (Gramsh) në vitin 2009, 2013 dhe 2017.

Ai është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste dhe Sekretar për Çështjet Zgjedhore që nga viti 2011. Më parë, në vitin 2007 ai u zgjodh Nënsekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore dhe bashkëautor i Kodit Zgjedhor 2008. Gjiknuri ka qenë anëtar i Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë (2009 – 2013), si dhe bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore 2011 – 2012.

Deri ne vitin 2005, Gjiknuri ka ushtruar funksione të ndryshme publike si: Drejtor i Kabinetit të Ministrit të Rendit Publik (2005), Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes (2001 – 2005), Drejtor i Bashkëpunimit Ndërkombetar dhe Marrëveshjeve në Ministrinë e Rendit Publik dhe koordinator kombëtar për çështjet e drejtësisë dhe ato të brendshme, për negocimin e hapjes së negociatave me KE (1999 – 2001), Drejtues i Planizim – Drejtimit në SHISH (1998), Gjyqtar i Shkallës së Parë (1995-1996), jurist në institucione të ndryshme (1994- 1995).

Në CV-në e tij ai thotë se zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe mirë gjuhën italiane.

Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit

Blendi Klosi lindi në Tiranë më 17.01.1971. Ai është diplomuar në fushën e Inxhinierisë Elektronike, në Fakultetin e Inxhinierisë, pranë Universitetit të Tiranës, ku më pas u angazhua si pedagog.

Gjatë viteve 1994-1996 ka mbajtur detyrën e Përgjegjësit të Sektorit në Qendrën e Studimeve të Projektimeve Elektronike. Kariera e tij kapi shkëlqimin në qeveritë Nano.

Në vitin 1996 ka shërbyer në Këshillin e Ministrave fillimisht pranë DAP dhe më tej si asistent i Kryeministrit. Veprimtaria politike e tij është e mjaft e pasur me angazhime të rëndësishme si Zëvendësministër i Pushtetit Lokal, Kryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Ministër i Shtetit gjatë periudhës 2002-2004 dhe Ministër i Rinisë, Kulturës dhe Sporteve në vitin 2004-2005.

Në vitin 2015-2017 ka mbajtur postin e Ministrit te Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Gjithashtu, Z. Klosi është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste dhe që nga viti 2005 mbanë pozicionin e Sekretarit Organizativ në këtë parti.

Blendi Klosi ka një angazhim të gjatë si deputet, përfaqësues i Grupi Parlamentar të Partisë Sociale në 4 legjislatura, aktualisht është Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Syri.net