A kemi kujtime nga foshnjëria? Ja çfarë thonë shkencëtarët
Kur njerëzit pyeten për kujtimin e tyre më të hershëm, zakonisht përmendin moshën tre ose katër vjeç. Gjithçka para kësaj periudhe duket bosh. Për shumë vite, shkencëtarët besonin se truri i foshnjave nuk ishte mjaftueshëm i zhvilluar për të ruajtur kujtime të plota.
Por një studim i ri tek minjtë po e sfidon këtë ide. Sipas kërkimit, kujtimet e foshnjërisë nuk zhduken plotësisht. Ato mbeten të fshehura në tru dhe vazhdojnë të ndikojnë mënyrën se si mësojmë më vonë në jetë.
Fenomeni quhet “amnezi infantile” dhe përshkruan mungesën e kujtimeve nga vitet e para të jetës. Studiuesja Cristina M. Alberini nga Universiteti i Nju Jorkut dhe ekipi i saj donin të kuptonin nëse këto kujtime humbin vërtet apo thjesht bëhen të paarritshme.
Në eksperiment, minjtë e vegjël u vendosën në një dhomë ku përjetuan një stimul të pakëndshëm dhe mësuan ta lidhin vendin me rrezikun. Disa javë më vonë, ata nuk tregonin më shenja se e mbanin mend përvojën.
Megjithatë, kur si të rritur u rikthyen për pak minuta në të njëjtin ambient, kujtimi u rikthye. Kjo tregoi se kujtesa nuk ishte zhdukur, por ishte fshehur.
Shkencëtarët zbuluan se korteksiprefrontal, pjesa e trurit që lidhet me planifikimin dhe vendimmarrjen, luan rol kyç në rikthimin e këtyre kujtimeve. Kujtimet e hershme duket se krijojnë një lloj “skeleti” në tru, që ndihmon të mësuarit e gjërave të ngjashme më vonë.
Studimi sugjeron se përvojat gjatë tre viteve të para të jetës nuk zhduken plotësisht, edhe pse ne nuk i kujtojmë me vetëdije. Ato vazhdojnë të ndikojnë zhvillimin dhe mënyrën si funksionon truri ynë në moshë të rritur. /Earth – Syri.net