U ftua nga Sylvinho në Kombëtare, mesfushori drejt Hajdukut të Splitit

Mesfushori 22-vjeçar i Malishevës, Etnik Brruti, pritet të bëhet futbollist i ri i gjigantit kroat HNK Hajduk Split në ditët në vijim, në një transferim të rëndësishëm të merkatos verore.

Sipas medieve kroate, përfshirë “Index.hr”, Brruti do t’i bashkohet skuadrës së re si lojtar i lirë, pasi i skadon kontrata me Malishevën dhe do të jetë afrimi i parë i verës për klubin nga Spliti.

Futbollisti kosovar ka një karrierë në rritje dhe është aktivizuar më parë me grupmoshat e Kosovës, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit tek U-21, duke regjistruar 8 ndeshje. Më pas ai vendosi të përfaqësojë Shqipërinë U-21, ku ka zhvilluar gjithashtu 8 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola.

Brruti ka marrë edhe ftesë nga Sylvinho për Kombëtaren A të Shqipërisë, duke treguar se konsiderohet një talent për të ardhmen e mesfushës shqiptare.

Në sezonin e fundit me Malishevën, ai u paraqit në 35 ndeshje, duke shënuar 9 gola dhe dhënë 5 asistime, statistika që kanë tërhequr vëmendjen e klubeve jashtë Kosovës. Më herët, ai ka qenë pjesë edhe e Besës së Pejës.

Sipas “Transfermarkt”, vlera e tij aktuale është rreth 550 mijë euro, ndërsa kalimi tek Hajduku shihet si një hap i madh në karrierën e tij dhe një mundësi për t’u afirmuar në futbollin europian.