Si e bëri Brexit-i Britaninë një vend europian

Me kaosin e saj politik dhe me shpenzime të larta, Britania e Madhe është sot më kontinentale nga ç'ishte para një dekade.

Janan Ganesh - FT/

Italianët panë shtatë ndryshime kryeministrash gjatë viteve 1950. Krahasuar me një rrëmujë të tillë, burokracia e Brukselit nuk dukej edhe aq keq. Një spanjoll me kujtime nga koha e Frankos, apo një votues irlandez që ishte rritur nën ndikimin e fortë të kishës, madje mund ta lidhte BE-në me modernitetin. Me fjalë të tjera, disa europianë e mirëpritën Bashkimin Europian si një lloj shpëtimi nga politika e dobët kombëtare. Britania e mirorganizuar kishte shumë më pak për të fituar duke ia kaluar administrimin e saj të huajve. Si shpjegim për euroskepticizmin britanik, kjo është jashtëzakonisht vetëlavdëruese, por të paktën përputhet me faktet.

Jo më. Që pas largimit nga BE-ja, Britania është bërë shumë më europiane në kaosin e saj politik. Së shpejti mund të ketë kryeministrin e shtatë që nga viti 2016. Jo më pak se pesë parti po dalin me mbështetje dyshifrore në sondazhe, duke sugjeruar një nivel fragmentimi politik si në Gjermani apo Holandë, por me një sistem zgjedhor mazhoritar që nuk arrin ta përballojë këtë.

Dikur thuhej se "institucionet" e famshme të Britanisë e bënin atë të veçantë në Europë. Pak prej tyre kanë kaluar një dekadë të mirë. As Partia Laburiste dhe as Konservatorët nuk pretendojnë më se shërbimi civil është një "Rolls-Royce". Pas disa gabimeve, përfshirë një që lidhej me mbulimin e Donald Trump-it, BBC-ja ka humbur aureolën e pagabueshmërisë. Skandali i Andrew Mountbatten-Windsor-it ka dëmtuar familjen mbretërore. Nëse është e vërtetë se ajo që e shtyu projektin europian nuk ishte vetëm idealizmi utopik, por edhe e kundërta e tij, një mosbesim i thellë ndaj institucioneve kombëtare, atëherë, Britania po fillon t'i ngjajë përvojës kontinentale europiane.

Ky afrimitet politik me Europën ishte i vështirë të parashikohej. Por ka pasur edhe një afrimitet ekonomik, një lëvizje drejt modelit kontinental të mirëqenies sociale, dhe Britania e kishte gjithmonë këtë prirje brenda vetes.

Kush beson ende se votuesit britanikë janë instinktivisht mbështetës të tregut të lirë? Kush mendon se një BE socialiste po ua shtypte individualizmin gjithë këto vite? Sot shteti ka një rol më të madh në jetën ekonomike britanike sesa para Brexit-it, dhe njerëzit votuan për këtë. Tregu fleksibël i punës që dikur e dallonte Britaninë nga kontinenti po mbushet gjithnjë e më shumë me rregulla, taksa dhe paga minimale të larta. Papunësia e të rinjve në Britani tani e kalon atë të Eurozonës. Edhe përpara se Laburistët të fitonin zgjedhjet në vitin 2024, mandati konservator i vitit 2019 u fitua me një platformë shtetërore të fokusuar te rajonet e varfra të Anglisë, të njohura si "muri i kuq".

Vëreni se përpjekjet për të ulur shpenzimet publike, si reforma për kujdesin ndaj të moshuarve në vitin 2017 dhe shkurtimet e përfitimeve sociale në vitin 2025, u përballën me protesta të ngjashme me ato që EmmanuelMacron i njeh shumë mirë. Pritshmëritë e publikut britanik ndaj shtetit social janë më shumë franceze apo gjermane sesa amerikane apo singaporiane. Ideja se ekziston një model ekonomik "anglo-sakson" ka qenë gjithmonë marrëzi. Nëse do të ekzistonte një prirje etnike apo kulturore drejt tregut të lirë, ku shkoi ajo në mesin e shekullit XX, kur sindikatat dominonin Britaninë dhe taksat e larta i shtynë Bitëllsattë ankoheshin në këngë? Konsensusi "thaçerist" i Britanisë nga 1979 deri në 2016 përkoi me anëtarësimin në BE. Sot ai duket si një periudhë e pazakontë mes dy epokave ku vendi tregoi natyrën e tij kolektiviste.

Çudia është që dikush çuditet ende. Në thelb, lëvizja Leave ishte një lëvizje paternaliste, premtimi i saj kryesor ishte përdorimi i kontributeve të BE-së për NHS, e udhëhequr nga libertarianë jo përfaqësues nga siguria e dy apo tre klubeve private më të tmerrshme të Londrës. Kjo kontradiktë e brendshme nuk i pengoi të fitonin, por e bëri të qartë se një revolucion pro tregut nuk mund të ndodhte kurrë. Politika thjesht nuk përputhej. Pyetja është pse Britania ka shkuar kaq larg në drejtimin tjetër. Ja një hamendësim: fushata Leave ngriti në piedestal pensionistët dhe rajonet e deindustrializuara mbi punëtorët aktivë (shumica votuan Remain) dhe qytetet produktive. Që atëherë, politikanët janë fiksuar pas atij koalicioni fitues. Kjo ka pasoja të dukshme për politikat, dhe ato nuk janë neoliberale.

Nuk po sugjeroj se Britania duhet apo do të rikthehet në BE. Në fakt, thelbi i këtij artikulli është se anëtarësimi zyrtar është bërë një çështje teorike. Zbulimi i dekadës së fundit është europianizimi i thellë, dhe në rritje, i Britanisë si shoqëri. Në peizazhin politik dhe preferencat ekonomike, vendi është afruar me mesataren kontinentale europiane. Edhe kursi i këmbimit mes paundit dhe euros është më afër barazisë sesa para Brexit-it. Për shkak të kërcënimit rus, marrëveshjet mbrojtëse të Britanisë po ndërthuren me ato të kontinentit në mënyra që dikur do të konsideroheshin tradhti ndaj NATO-s.

Nuk do të ishte hera e parë që një ndarje formale do të kishte pasoja të papritura. Irlanda dhe Britania janë sot më të ngjashme sesa kur ishin pjesë e të njëjtit shtet. Singapori dhe Malajzia shkojnë më mirë me njëra-tjetrën sesa kur ishin pjesë e një bashkimi. Megjithatë, të dy këto afrime kërkuan kohë dhe fillimisht pati edhe largime. Britania filloi të bëhej shumë më europiane pothuajse menjëherë pasi u largua nga BE-ja.

Një pyetje që përsëritet shpesh sot është nëse vendi është "i paqeverisshëm". Nëse është kështu, atëherë asgjë nuk mund të jetë më europiane. Asnjë rajon tjetër i Perëndimit nuk ka të njëjtën përzierje problemesh. SHBA vuan nga mosfunksionimi politik, por jo, të paktën deri tani, nga ai ekonomik. Australia dhe deri diku Kanadaja mund të pretendojnë se nuk kanë asnjërën. T'i vuash të dyja njëkohësisht është diçka shumë "e Botës së Vjetër". Një cikël rritjeje e ulët dhe qeverish të dobëta: sëmundja britanike është sëmundja franceze, që është edhe sëmundja gjermane. T'i bashkohesh BE-së? Në sferat e rëndësishme, tashmë i jemi bashkuar.