Konaté refuzon rinovimin me Liverpoolin, Reali gati ta marrë falas

Një tjetër ‘yll’ i Liverpoolit mund të largohet me parametër zero dhe destinacioni i mundshëm duket se është Reali. Pas rastit të Trent Alexander-Arnold, edhe Ibrahima Konaté po shkon drejt largimit nga “Anfield”, pasi ka refuzuar ofertën për rinovim të kontratës.

Mbrojtësi francez, i cili do të jetë pjesë e Botërorit 2026 me Francën, e përfundon kontratën me Liverpoolin në qershor dhe sipas medieve angleze negociatat mes palëve janë ndërprerë. Edhe pse në muajin prill vetë lojtari kishte lënë të kuptohej se marrëveshja ishte pranë, situata tashmë ka ndryshuar plotësisht.

Reali prej kohësh po ndjek situatën e 27-vjeçarit dhe pritet të rikthehet fuqishëm në garë për firmën e tij. Strategjia e klubit madrilen për të afruar lojtarë me parametër zero ka funksionuar edhe më parë dhe Konaté shihet si një përforcim ideal për repartin mbrojtës.

Tifozët e Liverpoolit nuk e kanë pritur mirë këtë zhvillim. Në ndeshjen e fundit në “Anfield”, mbrojtësi francez është vërshëllyer nga një pjesë e publikut për shkak të zërave që e lidhin me një transferim te Reali.

Konaté konsiderohet si një nga mbrojtësit më të fortë fizikisht në Europë. Ai spikat në duelet ajrore dhe në mbulimin e hapësirave, ndërsa eksperienca në nivelet më të larta e bën një profil shumë të vlerësuar në merkato. Megjithatë, mediet angleze theksojnë se ndonjëherë mbrojtësi penalizohet nga shpërqendrimet dhe vetëbesimi i tepruar në disa situata gjatë lojës.