Messi sfidon historinë, gati të udhëheqë Argjentinën drejt një tjetër lavdie botërore
Lionel Messi vazhdon të shkruajë historinë e futbollit botëror. ‘Ylli’ argjentinas do të jetë pjesë e Botërorit 2026 me Argjentinën, turne që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.
Përfshirja e tij në listën e trajnerit Lionel Scaloni konfirmon se “Pleshti” do të marrë pjesë për herë të gjashtë në Kupën e Botës, duke barazuar rekordin historik të Cristiano Ronaldos. Dy legjendat e futbollit do të lënë pas emra të mëdhenj si Lothar Matthaus, Antonio Carbajal, Rafael Márquez dhe Andres Guardado, të gjithë me nga pesë pjesëmarrje në Botëror.
Në moshën 38-vjeçare, Messi nuk do të shkojë në turne vetëm për një paraqitje simbolike. Kapiteni i Argjentinës synon të mbrojë trofeun e fituar në Katar në vitin 2022, pas finales dramatike ndaj Francës. Rruga e tij me kombëtaren ka qenë e mbushur me ulje-ngritje: nga debutimi në Gjermani 2006, kritikat e shumta dhe humbja në finalen e vitit 2014 ndaj Gjermanisë, deri te triumfi historik i 18 dhjetorit 2022.
Messi ka vendosur tashmë rekorde të jashtëzakonshme në Kupat e Botës. Ai është lojtari me më shumë ndeshje të zhvilluara në histori të kompeticionit, plot 26, duke kaluar Matthaus-in. Gjithashtu kryeson për minutat e luajtura dhe për numrin e ndeshjeve si kapiten. Me 13 gola në Botëror, ai është golashënuesi më i mirë i Argjentinës në këtë kompeticion, duke lënë pas Gabriel Batistutën dhe duke iu afruar rekordit absolut të Miroslav Klose-s me 16 gola.
Argjentina do të paraqitet në Botërorin 2026 si një nga favoritët kryesorë për trofeun. Skuadra e Scaloni-t ka krijuar një identitet të fortë dhe synon të bëhet kombëtarja e parë pas Brazilit të viteve 1958 dhe 1962 që fiton dy Botërorë radhazi.