Topi i Artë zhvendoset në Londër, ceremonia do të mbahet më 26 tetor

Topi i Artë, çmimi më prestigjioz dhe më i lakmuar në botën e futbollit, do të festojë 70-vjetorin e tij me një risi historike. Për herë të parë ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në Londër, më 26 tetor 2026.

Trofeu i krijuar nga revista franceze “France Football” në vitin 1956 jepet çdo vit për futbollistin më të mirë në botë. Që nga viti 2024 organizimi i eventit bëhet në bashkëpunim me UEFA-n, ndërsa zgjedhja e Londrës si qyteti pritës konsiderohet simbolike dhe një homazh për Stanley Matthews, legjendë angleze që fitoi edicionin e parë të Topit të Artë 70 vite më parë.

Duke organizuar ceremoninë jubile në kryeqytetin e Anglisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, organizatorët synojnë të forcojnë edhe më shumë prestigjin global të këtij çmimi. Topi i Artë vazhdon kështu zgjerimin ndërkombëtar dhe konsolidimin si një nga markat më të rëndësishme në futbollin botëror.

Ceremonia e këtij viti pritet të tërheqë vëmendjen e gjithë botës së futbollit, me emrat më të mëdhenj të sportit që do të jenë të pranishëm në Londër për natën gala të ndarjes së çmimeve.