Paradoksi me Allegri-n, Milanin e la në Europa League, vetë kthehet në Champions

Kur thuhet se dikush bie në këmbë, rasti i Massimiliano Allegrit duket shembulli perfekt. Vetëm katër ditë pas zhgënjimit për moskualifikimin në Champions League me Milanin dhe shkarkimit nga stoli kuqezi, tekniku livornez ka gjetur menjëherë një derë të hapur drejt kompeticionit më të rëndësishëm europian. Aurelio De Laurentiis, pas balotazhit me Vincenzo Italianon, ka zgjedhur pikërisht Allegrin për t’i dhënë drejtimin e Napolit pas dy viteve të Antonio Contes, që u sollën të kaltërve titullin kampion.

Nën hijen e Vezuvit, Allegri do të gjejë një skuadër cilësore, që sipas shumë specialistëve do të kishte luftuar për titull me Interin po të mos ishte për dëmtimet e shumta. Mbi të gjitha, ai do të ketë sërish mundësinë të luajë në Champions League, kompeticion që i shpëtoi me Milanin pas një pjese të dytë zhgënjyese të sezonit në Serie A.

Për Milanin kjo situatë konsiderohet një goditje e rëndë. Në sezonin 2026-2027 Allegri do të jetë pjesë e Champions League me Napolin, ndërsa kuqezinjtë do të duhet të kënaqen me Europa League-n, një turne me shumë më pak prestigj dhe të ardhura financiare. Përfundimi në vendin e gjashtë ka sjellë një revolucion të plotë teknik dhe drejtues te Milani, me drejtuesit që janë larguar pothuajse të gjithë. I vetmi që mbetet në qendër të projektit të rindërtimit është Zlatan Ibrahimovic.

Për Allegrin, ky është një rikthim i rëndësishëm pas një sezoni të komplikuar. Megjithatë, 58-vjeçari do të ketë detyrën e vështirë të bindë tifozët e Napolit, të cilët prej ditësh kanë shprehur pakënaqësi në rrjetet sociale për stilin e tij të lojës, të cilësuar si jo shumë modern dhe jo spektakolar.

Eksperienca e fundit e Allegrit në Champions League daton me Juventusin në sezonin 2022-2023. Një aventurë negative për bardhezinjtë, që fituan vetëm një ndeshje në grup, ndaj Maccabi Haifa-s në Torino. Megjithatë, Juventusi arriti të përfundonte në vendin e tretë dhe të zbriste në Europa League, ku shkoi deri në gjysmëfinale, para se të eliminohej nga Sevilla.