FMN paralajmëron qeverinë Meloni: Shmangni rritjen e deficitit për krizën e energjisë

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar qeverinë italiane të Giorgia Melonit që të shmangë rritjen e deficitit buxhetor për përballimin e krizës së çmimeve të energjisë.

Pas misionit të tij vjetor në Itali, FMN deklaroi se masat për zbutjen e kostove të energjisë duhet të jenë të përkohshme, të targetuara dhe pa ndikim në financat publike.

“Masat për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë duhet të kenë kosto zero për buxhetin dhe të mos dekurajojnë kursimin e energjisë”, theksoi institucioni ndërkombëtar.

FMN kritikoi gjithashtu uljen e përgjithshme të akcizave për karburantet, duke sugjeruar që ajo të zëvendësohet me ndihma direkte për familjet më të prekura.

Sipas raportit, borxhi publik i Italisë ka arritur në rreth 137% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2025, duke e bërë ekonominë italiane të ndjeshme ndaj krizave ekonomike dhe rritjes së normave të interesit.

Megjithatë, qeveria italiane ka lënë të kuptohet se mund të ndjekë një rrugë të pavarur nëse Komisioni Evropian refuzon kërkesën për më shumë fleksibilitet fiskal.

“Qeveria italiane do të vazhdojë përpara edhe e vetme, sepse nuk mund të ndalim një makineri që me shumë sakrifica e kemi rikthyer në funksion”, deklaroi zëvendëskryeministri Matteo Salvini.

Përplasja mes Romës dhe institucioneve ndërkombëtare vjen në një moment kur Italia po përballet me presion të fortë ekonomik dhe rritje të kostove të energjisë.