UNESCO në letra, ujërat e zeza në liqen/ Lin vazhdon të përballet me skandalin e kanalizimeve

Ndërsa qeveria promovon turizmin dhe trashëgiminë e mbrojtur nga UNESCO, fshati turistik i Linit pranë liqenit të Ohrit vijon të mbetet pa një sistem funksional kanalizimesh për ujërat e zeza. Një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në vend dhe pjesë e programit të shumëreklamuar të “100 fshatrave”, Linin ende e shoqëron një problem elementar infrastrukture që prej vitesh nuk gjen zgjidhje.

Banorët e zonës shprehen të revoltuar nga neglizhenca e institucioneve, duke theksuar se premtimet janë përsëritur vazhdimisht, ndërsa situata në terren ka mbetur pothuajse e pandryshuar. Sipas tyre, një pjesë e ujërave të zeza vazhdojnë të derdhen direkt në liqen, ndërsa shumë banesa përdorin ende gropa septike, duke rrezikuar ndotjen e një prej pasurive natyrore më të rëndësishme të vendit.

Paradoksi bëhet edhe më i madh kur zona reklamohet si model i zhvillimit turistik, ndërkohë që mungesa e kanalizimeve cenon jo vetëm jetën e përditshme të banorëve, por edhe vetë ekosistemin e liqenit të Ohrit. Banorët thonë se ndotja po sjell pasoja të dukshme në florën dhe faunën ujore, ndërsa numri i peshqve në zonë është në rënie të vazhdueshme.

Megjithëse projekti për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve është premtuar disa herë nga autoritetet, zbatimi i tij është shtyrë vazhdimisht. Vetëm së fundmi kanë nisur punimet për fazën e parë të projektit, i cili parashikohet të përfundojë brenda 15 muajve.

Për banorët, mbetet për t’u parë nëse edhe ky investim do të përfundojë si premtimet e mëparshme, apo nëse më në fund një zonë e mbrojtur nga UNESCO do të trajtohet me standardet minimale që meriton.