Zjarri në një shkollë vajzash në Kenia, shkon në 16 numri i viktimave

Gjashtëmbëdhjetë studente vdiqën në një zjarr në një shkollë me konvikt në Kenian qendrore, u tha gazetarëve sot një përfaqësues i policisë, duke shtuar se 74 studente të tjerë të plagosur u dërguan në spitale.

Zjarri shpërtheu herët këtë mëngjes ndërsa nxënëset po flinin në Shkollën e Vajzave Utumishi në Gilgil, e cila ndodhet rreth 120 kilometra në perëndim të kryeqytetit kenian, Nairobi.

Policia deklaroi se operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar dhe autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun e zjarrit, raporton BBC.

Kryqi i Kuq i Kenias tha se personeli i emergjencës është në vendin e zjarrit dhe ofron ndihmë. Sipas policisë, zjarri shpërtheu rreth orës 01:00 sipas orës lokale të së enjtes (mesnata e së mërkurës sipas kohës qendrore) dhe përfshiu bllokun e shkollës me konvikt ku janë të vendosura rreth 220 nxënëse.

Siç u tha, disa nga nxënëset e shkollës ikën në zonën përreth gjatë kaosit dhe janë ende në kërkim.

"Ndërsa flasim, policia po kontrollon zonën sepse disa studente ikën të tronditur dhe të frikësuar gjatë natës", tha shefi i policisë Masud Mwinyi.